Qytetarët me inicialet E.Ç 45 vjeç dhe N.H 58 vjeç, të dy banues në Tiranë, janë vënë në pranga pasi transportonin dhe magazinonin mallra të kontrabanduara nga Belgjika në Shqipëri. Gjithashtu është proceduar në gjendje të lirë bashkëshortja e 45-vjeçarit.
Njoftimi i Policisë: Tiranë/Vijon puna për evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e kontrabandës së mallrave të ndryshme.
Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Sektorin e Hetimit të Krimeve Ekonomike e Financiare në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, operacioni policor i koduar “Fake delivery”.
Vihen në pranga 1 shtetas që transportonte mallra të kontrabanduara nga Belgjika në Shqipëri dhe një shtetas tjetër që i magazinonte mallrat, në subjektin që administronte.
Procedohet në gjendje të lirë bashkëshortja e 45-vjeçarit.
Sekuestrohen veshje të ndryshme, të dyshuara të kontrabanduara, me peshë totale 5548 kg.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Sektorin e Hetimit të Krimeve Ekonomike e Financiare në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës së mallrave, pas një pune të mirëfilltë hetimore, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Fake delivery”.
Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi i shtetasve E. Ç., 45 vjeç dhe N. H., 58 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Gjithashtu u procedua në gjendje të lirë shtetasja L. Ç., 45 vjeçe.
Gjatë kontrollit të ushtruar në subjektin në administrim nga shtetasi E. Ç., shërbimet e Policisë gjetën veshje të ndryshme të dyshuara të kontrabanduara, të cilat ishin transportuar nga Belgjika drejt Shqipërisë, nga shtetasi N. H.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan veshje të ndryshme të kontrabanduara, me peshë totale 5548 kg.
Operacioni për goditjen e kësaj paligjshmërie vijon.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.