Kur bota u mbërthye nga inflacioni i lartë pas luftës në Ukrainë, Shqipëria kishte rritjen më të ulët të çmimeve në rajon, por Barometri i Ballkanit 2023 nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC) gjeti se vendi ynë kishte përqindjen më të lartë të popullsisë së pakënaqur nga çmimet.

Sipas anketës, 65% e popullsisë së Shqipërisë ishte shumë e pakënaqur nga niveli i lartë i çmimeve. Niveli i pakënaqësisë ishte më i lartë dhe me diferencë nga vendet e tjera, ku 47% të qytetarëve të rajonit shprehen pakënaqësi.

Shqipëria kishte nivelin me të ulët të inflacionit gjatë vitit të kaluar me 6.7%, ndërsa mesatarja rajonale e inflacionit ishte 12% vitin e kaluar. (shiko grafikun e mëposhtëm).

Pas Shqipërisë, më të shqetësuarit për çmimet ishin qytetarët e Malit të Zi, të cilët në masën 55% ishin të pakënaqur, por ndërkohë inflacioni në Malin e Zi vitin e kaluar u rrit në nivele dyshifrore 13%.

Në Maqedoninë e Veriut, 54% e qytetarëve ishin shumë të pakënaqur me nivelin e çmimeve, teksa inflacioni vitin e kaluar u rrit me 14.2%, niveli më i lartë rajonal.

Rreth 46% e qytetarëve të Serbisë ishin të pakënaqur me çmimet vitin e kaluar, teksa inflacioni në këtë vend u rrit me 11.6%.

Më herët këtë vit institucionet financiare ndërkombëtare kanë zbuluar se treguesi i inflacionit në Shqipëri nuk paraqet realitetin.

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) në një studim për efektet e inflacionit në vendet e Ballkanit Perëndimor tregoi se rajoni po përballet ketë periudhë me nivelet më të larta të rritjes së çmimeve që nga rënia e regjimeve moniste në vitin 1990.

Të dhënat nga 6 vendet e Ballkanit Perëndimor (Serbia, Shqipëria, Bosnja, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Kosova) tregojnë se rritja e çmimeve ka qenë më e fortë për grupin e produkteve ushqimore duke e bërë më të ashpër rritjen e çmimeve në një Rajon ku varfëria është ende në nivele të larta.

Teksa inflacioni në tërësi shfaqi nivel të ulët vetëm 6.7 për qind në raport me Rajonin, çmimet e ushqimeve u rriten me ritme dyshifrore në vendin mestaraisht me 12 për qind.

Sgqpëria ka peshën më të lartë për shpenzimet për ushqime në Europë, me 42% të totalit të buxhetit, nga 13% që është mesatarja europiane.

Edhe në raport me rajonin, Shqioëria ka peshën më të lartë të shpenzimeve për ushqime. Për Maqedoninë e Veriut treguesi është rreth 31%, për BosnjëHercegovinën 29.5%, për Serbinë rreth 24%, për Malin e Zi 24.6%, sipas Eurostat (viti 2019). Të dhënat për Kosovën mungojnë nga Eurostat, por pesha është më e ulët se 40%, sipas statistikave kombëtare.

Por në Shqipëri peshës së lartë të ushqimeve në shpenzimet konsumatore i korrespondon një nivel më i ulët të ardhurash. Shqipëria vazhdon të ketë paga gati 30% më të ulëta se mestarja rajonale sipas të dhënave zyrtare, duke bërë që shqetësimet për çmimet të jenë më të mprehta në vendin tonë.

Kategoria kryesore e ushqimeve të shportës, si drithërat, vajrat vegjetale pësuan goditje të menjëhershme nga ndryshimet në tregjet ndërkombëtare, duke u rritur me 9.4% në Ballkan, në BE u rritën me vetëm 3.2%, ndërsa në Shqipëri, mbi 20%.

Së dyti, problemet strukturore të bujqësisë në rajon bëhen shkak për çrregullime të çmimeve që vijnë nga tregjet e brendshme. Por gjithashtu çmimet nga tregjet ndërkombëtare përçohen në nivele më të larta se ndryshimet reale. MONITOR