Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike zyrtare, Gazment Bardhi ka dalë sot në një konferencë për media dhe është shprehur se mbledhja e Këshillit Kombëtar do të zhvillohet nesër online, në orën 19.00.

“Jam njohur me një deklaratë që dilte në emër të Kryesisë së partisë, e cila ngjante me një fletë-rrufe që shpallet armik dhe baltoste Sekretarin e Përgjithshëm, vetëm se kishte zbatuar Statutin e Partisë Demokratike. Zhgënjim absolut për kolegët që tjetër gjë kanë thënë në një vit e gjysmë dhe tjetër gjë bëjnë tani.

Njoftimi dhe thirrja e Këshillit Kombëtar është kompetencë ekskluzive e Sekretarit të Përgjithshëm. Këshilli do të mblidhet nesër në orën 19.00, në një mbledhje online. Ne kemi zhvilluar disa mbledhje online, siç është mbledhja për miratimin e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 25 prillit. Edhe këtë herë do të mblidhemi online, në përputhje me Statutin”, tha Bardhi.

Më tej, ai u ndal dhe te njoftimi i mbrëmshëm i Kryesisë së PD për mbledhjen e Komisionit të Etikës.

“Jam njohur dhe me një vendim të Komisionit të Etikës, i cili në fakt nuk ekziston, për të dhënë llogari për veprimet e mia. Sekretari i Përgjithshëm jep llogari vetëm përpara Këshillit Kombëtar, i cili do të zhvillohet nesër.”

Gazment Bardhi foli edhe për anëtarë të Këshillit Kombëtar të PD që janë aktualisht në lista, por në zgjedhjet e fundit kanë bërë fushatë për kryebashkiakun Erion Veliaj. Ai pyeti dhe zotin Basha, të tregojë se kë kandidat ka mbështetur ai në Vaun e Dejës dhe Rrogozhinë në 14 Maj.

Dje, Jemin Gjana, doli në një konferencë nga selia e PD dhe tha se rreth 150 anëtarë të Këshillit Kombëtar janë hequr nga lista sepse nuk kanë bërë fushatë në zgjedhje për kandidatët e PD-së zyrtare.

“Për kolegët e mi brenda partisë, të bësh fushatë për Erion Velinë nuk e humb cilësinë si anëtar i Këshillit Kombëtar. Cilido që ka bërë fushatë për Igli Carën ka bërë gjënë e duhur. Cilido që ka bërë fushatë për Erion Velinë është në një llogore të gabuar. Megjithatë, sa kohë nuk ka një vendim, nuk e përcaktoj unë se kush është anëtar dhe jo.

Cilin kandidat ka mbështetur zoti Basha në Vaun e Dejës?! Nëse ai nuk e thotë, unë do detyrohem të bëjë publike mesazhet me zotin Basha. Cilin kandidat ka mbështetur zoti Basha në Rrogozhinë?!”, u shpreh Gazment Bardhi.