Shkarkohet nga detyra Ministrja e Financave Delina Ibrahimaj. Lajmi është bërë me dije për Faxnews, pak para mbledhjes së Asamblesë së PS.

Kjo lëvizje vjen vetëm pak orë përpara fillimit të Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, e cila pritet të zhvillohet pasditen e 26 korrikut, ku do të ketë edhe një fjalim të posaçëm të kreut të selisë rozë Edi Rama dhe ku pritet po ashtu të ketë ndryshime strukturore.

Ibrahimaj e mori portofolin e shtetit më shtator 2021, duke shërbyer në këtë detyrë për më pak se dy vjet.

Në vitin 2016 e në vijim ajo ka qenë anëtare e Këshillit të Statistikave, INSTAT, në 2017 e në vijim anëtare e Këshillit Drejtues të FED Invest dhe anëtare e Institutit të Sigurimeve Shoqërore.

Ndërsa, ajo mori emër në vitin 2019, kur u emërua në detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, të cilën e mbajti deri në vitin 2021, përpara se të emërohej ministre.