Autori i ngjarjes së kësaj të hëne në Vlorë, ku mbeti i vdekur 55-vjeçari Armando Meshau, mësohet se është djali i anëtares së Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Nurihan Meta.

U raportua se Rei Meta e kishte lënë të vdekur në vend inxhinier Meshaun me vetëm dy goditje me grushte.

Ndërkohë, mësohet se konflikti mes tyre kishte disa muaj. Në fillim u përfol se kishte probleme borxhesh, por gjithçka lidhet me një apartament. Sherri ka nisur në ambientet e lokalit, që përfundoi më pas me vdekjen e 55-vjeçarit.

Burime bëjnë me dije se viktima ndodhej në kancelarinë nga ku u nxor i pajetë, për të printuar disa dokumente, por është konfliktuar me autorin 33-vjeçar, Rei Meta. Nga hetimet zbulohet se 33-vjeçari kishte ndërhyrë si sekser për një prej pronave që biznesmeni i ndërtimit kishte interes, duke i premtuar garanci se do t’i zgjidhte punë.

Sipas burimeve i riu kishte premtuar zgjidhje për pronën e Armando Meshaut, duke përdorur emrin e së ëmës, që është anëtarja e KLP-së, Nurihan Seiti Meta.

Në këmbim do të përfitonte një apartament që do t’i falej nga ndërtuesi i njohur në qytetin bregdetar. Por, Meta kishte dështuar në rolin e tij si sekser dhe 55-vjeçari kishte zgjidhur çështjen që e shqetësonte duke shfrytëzuar lidhjet me palë të treta.

Nga ana tjetër, 33-vjeçari pretendonte se ndërtuesi duhet t’i falte apartamentin. Kaq ka mjaftuar që mes tyre të niste një konflikt, e që përfundoi me një viktimë.

I ndjeri kishte refuzuar t’ia kalonte në pronësi apartamentin Rei Metës, dhe kur janë përballur në dyert e kancelarisë, debati mes tyre ka degjeneruar në fyerje dhe përdorimin e grushteve. Rei Meta, aktualisht shërben si punonjës i Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave.