Iu vuri zjarrin plehërave, në vend-depozitimin e tyre, në fshatin Myç-Mamëz, identifikohet dhe procedohet penalisht 49-vjeçari (roja e këtij subjekti).
Si rezultat i ndërhyrjes së menjëhershme të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Kukës, si dhe bashkëpunimit me Prefektin e qarkut dhe me shërbime të tjera mbështetëse, pas njoftimit të marrë për një rast zjarrvënieje në fshatin Myç-Mamëz, u bë i mundur procedimi penal i autorit të tij.
Për këtë rast, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin P. O., 49 vjeç, banues në fshatin Myç-Mamëz (roja e vend-depozitimit të plehërave, në këtë fshat), pasi dyshohet se ditën e djeshme, iu ka vënë zjarrin disa plehërave, në vend-depozitimin e tyre në fshatin Myç-Mamëz, dhe si pasojë ka shkaktuar ndotje të mjedisit përreth.
Drejtoria Vendore e Policisë Kukës apelon për qytetarët që në asnjë rast të mos ndezin zjarre, pasi ky veprim përbën krim dhe ndëshkohet penalisht, si dhe i fton ata që të denoncojnë në numrin 112, çdo rast të tillë, me qëllim ndërhyrjen e menjëhershme për shuarjen e flakëve dhe për procedimin penal të shtetasve përgjegjës.