SPAK ka mbyllur hetimet dhe ka çuar për gjykim nënkryetarin e FRPD-së Shkodër, Arvit Bushati si edhe tre punonjës të kësaj bashkie, Ergys Ivziku, Petrit Dyli dhe Mhill Volaj të akuzuar për blerje votash për zgjedhjet e 14 Majit. Siç njoftohet nga SPAK, ndaj tyre rëndon akuza e korrupsionit aktiv në zgjedhje.

Nga analiza e provave gjatë hetimit, ka rezultuar se të pandehurit kanë kryer veprime konkrete, të cilat kanë mbetur në fazën e tentativës, me qëllim dhurimin e të mirave materiale në këmbim të votës për një kandidat të caktuar politik, pjesëmarrës ne zgjedhjet lokale të muajit Maj 2023.

Tre punonjësit e bashkisë ranë në pranga pasi u kapën duke transportuar me furgon 50 qese me ushqime, për t’i shpërndarë te qytetarët për përfitime elektorale. Në kërkim u shpall Arvid Bushati si porositës i pakove ushqimore, me detyrë Drejtor i Drejtorisë së Ujësjellës-Kanalizimeve në këtë bashki.

Njoftimi i SPAK-ut: 

Në përfundim të hetimeve paraprake të procedimit penal nr. 125 të vitit 2023, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur para Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (në datën 16.08.2023) kërkesën për gjykim në ngarkim të pandehurve:

Ergys Ivziku, akuzuar për veprën penale veprën penale të “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328/25 e 22 i Kodit Penal;
Arvit Bushati, akuzuar për veprën penale veprën penale të “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328/25 e 22 i Kodit Penal;
Petrit Dyli, akuzuar për veprën penale veprën penale të “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328/25 e 22 i Kodit Penal;
Mhill Volaj, akuzuar për veprën penale veprën penale të “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328/25 e 22 i Kodit Penal.

Nga analiza e provave të grumbulluara gjatë hetimit paraprak, rezulton se të pandehurit Ergys Ivziku, Arvit Bushati, Petrit Dyli dhe Mhill Volaj, banorë të qytetit të Shkodrës, në kuadër të formës së thjeshtë të bashkëpunimit, kanë kryer veprime konkrete të cilat kanë mbetur në fazën e tentativës (për shkaqe të pavarura nga autorët), me qëllim dhurimin e të mirave materiale në këmbim të votës për një kandidat të caktuar politik, pjesëmarrës ne zgjedhjet lokale të muajit Maj 2023./abcnews.al