Në mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të PD zyrtare u vu re mungesa e ish-Kreut të Grupit Parlamentar, ish-ushtruesit të kreut të PD, Enkelejd Alibeaj. Vete Alibeaj e ka justifikuar mosprezencën e tij me impenjime partiake jashtë Shqipërisë.
Burime mediatike thanë se Enkelejd Alibeaj ka deklaruar në mbledhjet e kryesisë së PD-së, se do ta mbështeste Lulzim Bashën vetëm nëse në statut do të vendosej një dispozitë, që, nëse kryetari do të humbiste zgjedhjet e 2025-ën, ai do të dorëhiqej.
Por në ndryshimet statutore që pritet të miratohen nuk ka asnjë dispozitë që të detyrojë kryetarin Basha që të largohet nga drejtimi i partisë nëse humbet zgjedhjet e ardhshme.
Në statutin e ri të PD-së që pritet të miratohet, në nenin 45, flitet për rolin e kryetarit të PD-së, ndërkohë që nuk ka asnjë pikë që e detyron atë që të japë dorëheqje nëse humb zgjedhjet.
Në këtë nen vërehen disa ndryshime siç janë fakti se kush e drejton partinë kur nuk ka kryetar, ndërsa tashmë rolin e kryetarit mund ta bëjë dhe nënkryetari. Teksa më herët me propozim të sekretarit të Përgjithshëm, kur mungonte autorizimi nga kryetari, Këshilli Kombëtar zgjidhte njërin nga nënkryetarët, tashmë është hequr kjo hallkë dhe kompetencat i kanë kaluar Kryesisë së partisë.