Samiti i Procesit të Berlinit, blindohet Tirana! Mbi 1600 efektivë të angazhuar, rrugët që do bllokohen
Policia e Shtetit ka dalë me një deklaratë në lidhje masat që do të merren për Samitin e Procesit të Berlinit, që zhvillohet të hënën e 16 tetorit në Tiranë.
Nëndrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Sokol Bizhga, në një konferencë për shtyp, bëri të ditur se për mbarëvajtjen e këtij samiti do të jenë të angazhuar 1604 forca policore.
Masat e sigurisë do të fillojnë që pasditen e të dielës (15 Tetor) me bllokimin e disa rrugëve në qendër të Tiranës, ku nuk do të lejohet qarkullimi dhe parkimi i automjeteve.
Ndërsa në ditën e samitit, bizneset në zonën e perimetrit të sigurisë nuk do të lejohet të hapen.
Masat e planifikuara nga Policia e Shtetit, për këtë aktivitet të rëndësishëm konsistojnë në disa plane, konkretisht:
-Garantimi i rendit publik, para, gjatë dhe pas zhvillimit të Samitit;
-Organizimi i shërbimeve policore, për sigurimin e të gjithë perimetrit të sigurisë së Samitit;
-Sigurimi i delegacioneve përgjatë gjithë rrugëkalimit, nga Rinasi për në Tiranë;
-Eskortimi i delegacioneve nga aeroporti i Rinasit, për në vendin e zhvillimit të Samitit në Tiranë, dhe në kthim për në Rinas;
-Eskortimi i delegacioneve nga PKK Morinë, Kukës, për në vendin e zhvillimit të Samitit në Tiranë, dhe në kthim për në Morinë, Kukës;
-Eskortimi i delegacioneve nga PKK Hani i Hotit, Shkodër, për në vendin e zhvillimit të Samitit në Tiranë, dhe në kthim për në Hanin e Hotit, Shkodër;
-Sigurimi i rrugëkalimeve të shërbimeve të emergjencës;
-Menaxhimi i trafikut rrugor në qytetin e Tiranës, para, gjatë dhe pas zhvillimit të Samitit, etj.
Paraprakisht, dua të theksoj faktin se Policia e Shtetit dhe Garda e Republikës, për hartimin e Planit të Masave dhe për vendosjen e perimetrit të sigurisë për Samitin e Procesit të Berlinit, kanë bashkëpunuar edhe me ekspertë të sigurisë të vendeve të BE-së, me qëllim zbatimin e standardeve më të larta të sigurisë, gjatë zhvillimit të aktiviteteve të këtyre përmasave.
Gjithashtu, për të garantuar sigurinë e këtij aktiviteti, po bashkëpunohet me agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit në vend, si dhe me organizatat ndërkombëtare INTERPOL dhe EUROPOL, për shkembimin në kohë të informacioneve.
Po kështu, po bashkëpunohet me bashkinë e Tiranës, autoritetet e aeroportit të Rinasit, autoritetet e kontrollit të Aviacionit të Tiranës, Policinë Bashkiake të Tiranës, shërbimin zjarrfikës dhe qendrat spitalore të Tiranës, për mbarëvajtjen e tij.
Lëvizja e qytetarëve të Tiranës, më datë 16 tetor, do të afektohet drejtpërdrejt nga ky aktivitet me përmasa ndërkombëtare.
Për garantimin e sigurisë, para, gjatë dhe pas zhvillimit të Samitit, është parashikuar ky perimetër sigurie:
-Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga ura e Dajtit deri te sheshi “Nënë Tereza”;
-Bulevardi “Bajram Curri” nga kryqëzimi me Rrugën e Elbasanit deri te kryqëzimi me rrugën “Ibrahim Rugova”;
-Rruga “Papa Gjon Pali II”, “ETC-RTSH-Stadium”;
-Rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i Liceut deri te rruga e “Elbasanit”;
-Rruga “Mustafa Matohiti”, pranë shkollës “Kosova”;
-Rruga “Jul Variboba”, pranë postës, në rrugën e Elbasanit dhe në rrugën “Papa Gjon Pali II”;
-Rruga “Fatmir Haxhiu”, te ETC;
-Rruga “Lekë Dukagjini”, nga sheshi “Frederik Shopen”, deri te stadiumi “Air Albania” dhe përreth stadiumit;
-Rruga “Ukraina e lirë”.
Në këto akse rrugore, duke filluar ora 20:00 e datës 15 tetor deri në përfundim të Samitit, më datë 16 tetor, në orën 20:00, do të ndalohet parkimi, qarkullimi i automjeteve dhe qytetarëve, por do të lejohet vetëm lëvizja e qytetarëve që janë rezidentë në ambiente banimi brenda perimetrit të sigurisë.
Të gjitha bizneset private që ndodhen brenda perimetrit të sigurisë, ditën e hënë do të jenë të mbyllura.
Në rrugën “Papa Gjon Pali II”, nuk do të lejohet as lëvizja me këmbë, e qytetarëve.
Theksojmë se kufizimet e mësipërme janë në funksion të perimetrit të sigurisë për Samitin, ndaj kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve për të respektuar kërkesat dhe procedurat ligjore, të normuara nga Policia e Shtetit.
Ndalim të qarkullimit të automjeteve, më datë 16 tetor, nga ora 08:00 deri në orën 12:00, dhe nga ora 15:30 deri në orën 20:00, do të ketë në akset rrugore:
- Rinas – Mbikalimi i Kasharit – autostrada “Durrës – Tiranë” – ish-sheshi “Shqiponja” – Unaza e Tiranës – rrethrrotullimi i Saukut – rrethrrotullimi pranë Akademisë së Sigurisë – Pallati i Brigadave – rrethrrotullimi i qytetit “Studenti”, deri tek kryqëzimi me bulevardin “Bajram Curri”;
- Bulevardi “Bajram Curri”, nga kryqëzimi me rrugën “Ibrahim Rugova”, deri te Rruga e Elbasanit (ky ndalim vlen për të gjitha llojet e mjeteve);
- Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi me bulevardin “Zhan D’Ark” deri te sheshi “Nënë Tereza”;
- E gjithë rruga “Papa Gjon Pali II”;
- Rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi me Rrugën e Elbasanit, deri te kryqëzimi me rrugën “Ibrahim Rugova”.
Kufizime të qarkullimit të automjeteve të tonazhit të rëndë, do të ketë në aksin rrugor “Shkodër – Lezhë – Milot – Thumanë – Fushë Krujë – Vorë”.
Për të lehtësuar mbarëvajtjen e këtij aktiviteti të rëndësishëm, Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e të gjithë qytetarëve, që të reduktojnë në maksimum përdorimin dhe qarkullimin me automjete, gjatë kësaj dite, si dhe që të përdorin akse rrugore dhe drejtime të tjera lëvizjeje.