Një ngjarje e rëndë ndodhi ditën e djeshme në aksin Peqin – Elbasan, ku një 57-vjeçare e cila ishte duke udhëtuar me një furgon pasagjerësh hapi derën e pasme dhe u vetëhodh, duke gjetur vdekjen.

Pas ngjarjes, u raportua se rrethanat që e çuan gruan drejt këtij akti, ishin konfliktet që kishte me bashkëshortin e saj.

Ditën e sotme, policia raporton se ka arrestuar bashkëshortin e viktimës, i cili akuzohet  për “Dhunë në familje” dhe “Shkaktimi i vetëvrasjes”.

Njoftimi i policisë:

Elbasan

Në lidhje me ngjarjen e ndodhur mëngjesin e djeshëm, në aksin rrugor “Peqin-Elbasan”, ku humbi jetën shtetasja, 57 vjeçe, si pasojë e vetëhedhjes nga dera e pasme e furgonit për pasagjerë, me të cilin udhëtonte, ju informojmë se:

Pas hetimeve të thelluara për rastin, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan vunë në pranga bashkëshorin e 57-vjeçares Merushe Gjuzi, shtetasin , 68 vjeç, banues në Rrogozhinë, për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Shkaktimi i vetëvrasjes”.

Nëpërmjet dhunës psikologjike të ushtruar ndaj bashkëshortes së tij, 68-vjeçari dyshohet se ka ndikuar te gjendja e rënduar psikologjike e shtetases M. Gj., e cila në këto kushte, është vetëhedhur nga furgoni.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.r.t/abcnews.al