Ky është Albert Zorba, 31 vjeçari ngaElbasani i cili është njëri prej viktimave që humbi jetën tragjikisht në kantierin e ndërtimit në Hamburg mëngjesin e së hënës.
Vëllai i të ndjerit Zorba ndodhet i burgosur në Angli, ndërsa i ati i moshuar ka mbërritur në Hamburg. Viktima e dytë e identifikuar është një i ri nga Kukësi me inicialet R.H, shkruan joq.
Shqiptarët, punonjës në të zezë në kantier janë paraqitur me dokumente të rreme bullgare dhe kjo është arsyeja e paqartësisë së identiteteve të tyre nga shteti gjerman.
Besohet se numri i shqiptarëve që kanë humbur jetën në skelën që u shemb është pesë, tre shqiptarë të Shqipërisë dhe dy shqiptarë të Maqedonisë së Veriut të gjithë të regjistruar me dokumenta bullgare. Mbrëmjen e djeshme është nxjerrë nga rrënojat një tjetër trup.
Administratori shqiptar nga Kosova i firmës që kishte regjistruar shqiptarët me dokumente false, është zhdukur.
Ngjarja ndodhi teksa shqiptarët po punonin për ndërtimin e një pallati në zonën e HafenCity. Mendohet se ka ende viktima nën rrënoja dhe po punohet për nxjerrjen e trupave.