“Çështja mesa duket është një kurth politik i ngritur nga një person”, ka deklaruar Fredi Beleri dje në një telefonatë nga burgu në kanalin televiziv grek Open TV.
“Pohimi i dëshmitarit si dhe i drejtorit të policisë se dëshmitari është paguar për dëshminë, në çdo vend demokratik do të mbyllte edhe çështjen gjyqësore. Fakti më shqetësues i seancës dëgjuese është pikërisht se u zbulua se prokuroria nuk kishte dijeni për pagesën që kishte dhënë policia”, është shprehur kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës.
Në vijim Beleri është referuar dhe në aktin e pranimit të dëshmisë së dëshmitarit bazë me dyer të mbyllura duke theksuar se “ky akt i prokurorisë përbën një tjetër shkelje ligjore, e cila nuk parashikohet në procedura gjyqësore.
“Ata i bënë këtë nder. Dëshmitari ka mashtruar duke pretenduar se i ishte kërcënuar jeta. Prokuroria i bëri një nder që të mos i nënshtrohej presionit të publikut, duke i lejuar të dëshmojë me dyer të mbyllura”, ka thënë ai.
Fredi Beleri ka komentuar dhe vonesën e dhënies së lejes nga Gjykata e Lartë për ta lejuar të betohet si Kryebashkiak i Himarës duke thënë se “kjo formë trajtimi vërteton se këtu ndodh gjithçka tjetër përveç drejtësisë së pavarur. Fakti që nuk më japin leje dhe më mbajnë në paraburgim ka për qëllim mosmarrjen e detyrës së kryebashkiakut nga ana ime”
Së fundi, Beleri i ka bërë thirrje popullit të Himarës japin edhe këtë betejë sëbashku e të bëjnë durim se e drejta gjithmonë triumfon.
BalkanWeb