Zëvendëskryeministrja dhe njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku ka vizituar nga afër një biznes fasonerie në zonën e Gramshit. Ajo theksoi se kompania që vizitoi ka aktualisht 70 punonjës, me objektivin kryesor dyfishimin e stafit duke nisur nga vitit i ardhshëm.
Ministrja u shpreh se industria fason ka nevojë shumë për energji elektrike, ndaj shtoi se qeveria ka hartuar dhe politika lehtësuese, që e përkrahin këtë biznes, i cili ka një numër të konsiderueshëm të punësuarish.
“Ne kemi paketat tona, subvencionet dhe gjithçka tjetër. Sa i përket industrisë tuaj, ju keni nevojë për energji dhe kjo është e garantuar. Kemi bërë disa ndërhyrje. Ne po mundohemi shumë për gazifikimin e vendit. Zona e juaj do ta aksesoj shpejt, sepse nis nga Korça, vjen në Pogradec dhe më pas do të zbres në të gjithë pjesën. Në momentin kur nuk ka alternativë, qëndron tek energjia elektrike,. Edhe energjia e elektrike siç ju e dini edhe me krizën që patëm në 2022, është një mall I vështirë për t’u aksesuar në ditët e sotme”, tha ajo.
Mes tjerash, Balluku theksoi se janë bërë disa ndërhyrje në rrjetin elektrik të Gramshit, por nuk do mbarojë me kaq. “Në Gramsh kemi bërë disa ndërhyrje, do ketë investime të tjerra për përforcimin e rrejti me patjetër”, u shpreh zv.kryeministrja.