Në Europë inflacioni ka nisur të stabilizohet pas rritjes historikë që shkaktoi lufta në Ukrainë, por në Shqipëri po ndodh e kundërta, pasi çmimet po rriten në mënyrë të qëndrueshme, duke reflektuar problemet strukturore të ekonomisë vendase ,sidomos sektorit të prodhimit.

Indeksi i Çmimeve të Harmonizuar një metodologji i Eurostat tregoi se, inflacioni në Shqipëri gjatë muajit tetor ishte 4.7 për qind, shumë më i lartë se inflacioni mesatar në BE që për të njëjtin muaj që ishte 3.6 për qind. Gjithashtu treguesi rezultoi shumë i lartë se matjet kombëtare nga IÇK-ja që në tetor ishte 3.8%.

Në tetorin e vitit të kaluar IHCK në Shqipëri ishte 8%, ndërsa në BE ishte 11.5 për qind.

Por teksa inflacioni në Europë ku ulur ritmet për shkak të stabilizimit të çmimeve të energjisë që ishin shkaktari kryesor, Shqipëria, që vjet renditej në mesin e shteteve me rritjen më të ulët të çmimeve tani po shkon në krahun tjetër me inflacion të lartë.

Në janar të vitit 2023 IHCK në BE ishte gati 3 pikë përqindje më i lartë se në Shqipëri (shiko grafikun bashkëngjitur), përkatësisht 10 dhe 7.1%.

Kjo diferencë ishte e dukshme deri në muajin qershor kur nisi të ngushtohej, teksa çmimet në BE ulen ritmet e rritjes, ndërsa në Shqipëri po bëheshin të qëndrueshme. Në shtator IHCK u barazua më BE dhe në tetor çmimet në Shqipëri u rriten 1.1 pikë për qind më shumë se në BE.

Inflacioni në vendin tonë po krijohet nga faktorët e brendshëm dhe sidomos nga oferta e cunguar e prodhimeve bujqësore, e cila po e bën më të shtrenjtë shportën e ushqimeve, e cila është formuesi kryesor i inflacionit në vendin tonë.

Bujqësia sektori më i madh në ekonomi në tremujorin e dytë të vitit ra për pestin tremujor radhazi, teksa numri i konsumatorëve u rrit për shkak të turistëve duke ushtruar presion mbi çmimet.

Sipas metodës së Eurostat në muajin tetor shihet se kanë ndikuam më shumë në rritjen e çmimeve, ushqimet, qiraja, baret dhe restorantet.

Rritja më e madhe e çmimeve prej 8,5% vërehet në grupin “Argëtim dhe kulturë”, pasuar nga grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 7,7%, “Hotele, kafene dhe restorante” me 5,8%, “Shërbimi arsimor” me 5,0%, “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 4,8%, “Veshje dhe këpucë” me 3,4%, “Pije alkoolike dhe duhan” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 3,2% secili, “Shëndeti” me 1,5%, “Komunikimi” me 1,0% dhe “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0,5%. Nga ana tjetër, çmimet e grupit “Transporti” u ulën me 4,5%.

Në muajin Tetor, ndryshimi mujor i matur nga indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është 0,1%. Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga rritja e çmimeve të grupit “Hotele, kafene dhe restorante” me 1,4%, pasuar nga grupet “Veshje dhe këpucë” me 0,6%, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0,3%, “Transporti” me 0,2% dhe “Shërbimi arsimor” me 0,1%.

Nga ana tjetër, çmimet e grupit “Argëtim dhe kulturë” u ulën me 0,5%, pasuar nga “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 0,2%, “Pije alkoolike dhe duhan” dhe “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 0,1% secili./Monitor