Prrenjas
Konstatohet dhe goditet një rast i kontrabandimit të bagëtive të trasha, nga Maqedonia e Veriut, me qëllim tregtimin.
Arrestohet në flagrancë shtetasi të cilit iu gjetën në automjet dhe në banesë, 8 bagëti të trasha (viça) të pamatrikulluara.
Si rezultat i administrimit të shpejtë të informacioneve nga inteligjenca policore, të siguruara në kuadër të operacionit “Sundimi i ligjit”, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Elbasan goditën një rast të kontrabandimit të bagëtive të trasha, me qëllim shitjen në vendin tonë.
Për këtë rast u vu në pranga shtetasi I. A., 62 vjeç, banues në Prrenjas.
Ky shtetas u kap në flagrancë, në fshatin Rrajcë, duke drejtuar një automjet tip “Mitsubishi”, ku mbante 2 bagëti të trasha (viça) të dyshuara të kontrabanduara nga Maqedonia e Veriut. Në vijim, nga kontrolli në banesën e këtij shtetasi, u gjetën 6 bagëti të tjera që dyshohet se janë marrë në të njëjtën mënyrë, duke qenë se ishin të pamatrikulluara konfrom rregullave përkatëse.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.