Vetëm pak orë pasi u zyrtarizua shkarkimi i Jose Mourinhos nga pankina e Romës, klubi emëroi Daniele De Rossin si “timonierin” e ri të skuadrës. Ish-kapiteni do të ketë një detyrë të vështirë, pasi ekipi gjendet larg objektivave në renditjen e Serie A. Gjithashtu në Europa League do të luajnë përballë Feyenoord muajin tjetër.
Por De Rossi ka mbështetjen e gjithë klubit dhe jo vetëm. Ai ka luajtur për 18 vite me fanellën verdhekuqe duke u shndërruar në një nga personazhet më të dashur për publikun romanist dhe një nga lojtarët më të mirë që Roma ka patur ndonjëherë.
Në komunikatën zyrtare, klubi shprehet i lumtur për këtë bashkëpunim me De Rossin, duke vlerësuar lidhjen e pathyeshme që ai ka me fanellën verdhekuqe si dhe duke i uruar mirëseardhjen në shtëpi.
De Rossi është lindur në Romë dhe ëshë rritur në akademinë e skuadrës duke bërë debutimin me ekipin e parë në vitin 2001. Më pas ai shkëlqeu me paraqitjet e tij duke u bërë një nga mesfushorët më të mirë të Serie A.
Ndeshjen e parë në pankinë De Rossi do ta zhvillojë të shtunën e ardhshme në “Olimpico” ndaj Veronës.