Pas 8 orësh operacion kërkim-shpëtimi, në kushte atmosferike dhe gjeografike shumë të vështira, Policia ka shpëtuar 2 turistë nga Zvicra, të cilët kishin humbur rrugën gjatë eksplorimit në mal, për shkak të dëborës dhe terrenit të thepisur në Malin e Korabit.
“Rreth orës 21:00, të datës 21.01.2024, është marrë njoftim se 2 turistë nga Zvicra, kishin humbur rrugën gjatë eksplorimit në malin e Korabit, dhe si pasojë kishin mbetur të izoluar në terrenin e thepisur të malit, në temperatura shumë të ulëta, dhe njërit prej tyre i rrezikohej jeta, sepse ishte dëmtuar. Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Policisë dhe ato mbështetëse kanë organizuar një operacion kërkim-shpëtimi, për të shpëtuar 2 turistët. Pas 8 orësh kërkime intensive, gjatë natës dhe gjatë orëve të mëngjesit të sotëm, në temperatura shumë të ulëta dhe në terrenin e thepisur të malit të Korabit, është bërë i mundur lokalizimi i 2 turistëve, në vendin e quajtur “Maja e Sokolit””, njofton Policia.
Shërbimet e Policisë dhe ato mbështetëse iu kanë shkuar në ndihmë turistëve, duke iu dhënë ndihmën e parë mjekësore, si dhe duke i pajisur me ushqime dhe me veshje.