Gjykata Kushtetuese ka pranuar këtë të enjte pjesërisht kërkesën e studentëve të mjekësisë, të cilët kundërshtojnë vendimin e qeverisë që i detyron ata të qëndrojnë në Shqipëri pas përfundimit të studimeve për 2 deri në 5 vjet, një masë për të frenuar largimin e bluzave të bardha nga vendi.

Kushtetuesja thotë se këto afate janë të ashpra dhe se nuk janë proporcionale me interesin publik ndaj ka kërkuar shfuqizimin e tyre. Sipas gjykatës, duke iu referuar edhe vendeve të tjera, ky afat nuk duhet të tejkalojë gjysmën e viteve të studimit. Brenda tre muajsh, Kuvendi duhet të bëjë ndryshimet ligjore.

Gjykata Kushtetuese ka peshuar dy komponentë. Së pari detyrimin e shtetit dhe së dyti, afatet e përcaktuara në ligj për të bërë shërbim të detyruar deri në 5 vjet dhe më pas për të marrë diplomën e mjekësisë. Kushtetuesja ka arritur në përfundimin se masat deri në 5 vjet dhe masat e tjera në 4 apo dy vjet në bazë të viteve që studentet janë të ashpra dhe i kërkojnë Kuvendit të vendosin afate të reja në proporcion me detyrimin që ata mund të ketë dhe me të drejtën për t’u zhvilluar profesionalisht. Pra Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar afatet deri në 5, 3 dhe dy vjeçar dhe i ka thënë kuvendit bëje ligjin me afate të reja”, raportoi gazetarja Erneta Shevroja.

Gjykata Kushtetuese e mbledhur sot, më 25.01.2024, vlerësoi se dispozitat e kundërshtuara sjellin kufizim të të drejtave për arsim dhe punësim, të garantuara nga nenet 49 dhe 57 të Kushtetutës. Kufizimi është vendosur me ligj dhe për interes publik, i cili lidhet me detyrimin e shtetit për të garantuar kujdes shëndetësor ndaj shtetasve, të parashikuar nga neni 55 i Kushtetutës. Megjithatë gjatë procesit nuk u provua se kufizimi është proporcional në drejtim të afateve dhe kohëzgjatjes së shlyerjes së detyrimeve për punësim, pasi afati 5-vjeçar i parashikuar nga neni 4 i ligjit rezulton më i ashpër se sa nevoja për të përmbushur objektivin legjitim. Duke u nisur nga premisa që afati 5-vjeçar nuk është proporcional dhe duke marrë në konsideratë eksperiencën e vendeve të tjera, ku ky afat nuk tejkalon gjysmën e kohëzgjatjes së studimeve, u gjykua që  të rishikohen edhe afatet e tjera 3-vjeçare dhe 2-vjeçare të përcaktuara në të njëjtin nen.

Në kuadër të testit të proporcionalitetit, Gjykata ka konstatuar, gjithashtu, se neni 6 i ligjit ka ometim ligjor. Ometimi ka të bëjë me mungesën e kritereve objektive të punësimit me prioritet, trajtimin financiar në kuadër të sigurimit të mjeteve të nevojshme të jetesës, sipas nenit 49 të Kushtetutës, si dhe përllogaritjen e periudhës në pritje në kohëzgjatjen e detyrimit për punësim. Gjykata e analizoi çështjen edhe në këndvështrimin e parimit të sigurisë juridike dhe të barazisë para ligjit.

Masa e pezullimit e vendosur nga Gjykata në datën 14.11.2023 hiqet për shkak të vendimmarrjes së sotme. Duke pasur në konsideratë që, nga njëra anë, ligji në tërësinë e tij duhet të fillojë të prodhojë efekte para përfundimit të këtij vitit akademik, por, nga ana tjetër, dispozitat që duhen shfuqizuar i bëjnë të pazbatueshme marrëveshjet me studentët, Gjykata vlerësoi t’i caktojë Kuvendit detyrimin që brenda 3 muajve të miratojë ndryshimet e nevojshme ligjore.”, thuhet në vendimin e gjykatës.

vijon…