Rezarta Laçka ka rënë në prangat e policisë së Korçës, pasi ka mashtruar pronarët e tre bizneseve në këtë qytet dhe në fshatin Pirg të Maliqit.
Sakaq, mësohet se 34-vjeçarja përmes mashtrimit ka përfituar prej tyre, në total 160 000 lekë të rinj.
Njoftimi i policisë:
Përfitoi shuma të ndryshme parash, duke mashtruar pronaret e tre bizneseve, kapet dhe vihet në pranga 34-vjeçarja, Rezarta Laçka.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Maliq, në vijim të punës për dokumentimin e plotë të ngjarjeve të ndodhura dy javët e fundit në Korçë dhe Maliq, ku një shtetase kishte përfituar shuma parash nga pronaret e tre bizneseve, duke i mashtruar ato, koordinuan veprimet me qëllim kapjen e kësaj shtetaseje dhe vënien e saj përpara përgjegjësisë penale.
Si rezultat, u kap dhe u ndalua shtetasja në kërkim Rezarta Laçka 34 vjeçe, banuese në Korçë, pasi Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë ka urdhëruar ndalimin e saj, për veprën penale “Mashtrimi”.
Nga hetimet e kryera rezulton se 34-vjeçarja ka shkuar në bizneset e shtetaseve në qytetin e Korçës dhe në fshatin Pirg, Maliq, dhe dyshohet se nëpërmjet mashtrimit ka përfituar prej tyre, në total 160 000 lekë të rinj.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme./abcnews.al