Drejtori i policisë Tiranë, Tonin Vocaj në një konferencë për mediat nënvizoi se janë ndaluar tre persona, ndërsa dy të tjerë janë në kërkim për shpërthimin e një zyre noteriale në ish-Bllok.

Personat e ndaluar janë Real Zefi, 33 vjeç, banues në Shkodër, Korrado Katana, 33 vjeç, banues në Durrës dhe Eno Flamuraj, 36 vjeç, banues në Korçë.

Gjithashtu Vocaj theksoi se hetimet për këtë ngjarje janë ende në vijim dhe se po punohet për të vënë autorët para drejtësisë.

“Operacionet janë të ndara, por për nga koha dhe rëndësia i bashkuam në këtë deklaratë. Hetimet vazhdojnë. Nuk ka një lidhje mes shpërthimit të vendosur zyrës noteriale dhe eksplozivit të kapur. Për shpërthimin rezulton që autorët që ne kemi ndaluar e kanë kryer këtë vepër kundrejt pagesës. Vijon puna për të evidentuar porositësit dhe t’i vënë para drejtësisë”, theksoi ai

Ngjarja ndodhi disa javë më parë, në rrugën “Perlat Rexhepi” në ish-Bllok në orët e para të mëngjesit.

Si pasojë e shpërthimit në atë kohë u raportuan dëme materiale. Biznesi ku edhe u vendos lënda plasëse është në emër të Esmeralda Dauti.

Njoftimi: 

Po më datë 04.02.2024, nga strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Nr. 2, u finalizua operacioni policor i koduar “POROSIA”, në kuadër të të cilit u dokumentua me prova ligjore ngjarja e ndodhur më datë 30.01.2024, në një zyrë noteriale në rrugën “Perlat rexhepi”, ku ka shpërthyer lëndë plasëse.

Në kuadër të këtij operacioni, u ndaluan shtetasit:

1. Real Zefi, 33 vjeç, banues në Shkodër;
2. Korrado Katana, 33 vjeç, banues në Durrës;
3. Eno Flamuraj, 36 vjeç, banues në Korçë.

Gjithashtu u shpallën ne kërkim 2 shtetas.

Shtetasit e mësipërm, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 30.01.2024, kanë vendosur sasi lënde plasëse në një zyrë noteriale dhe pas ngjarjes, autorët kanë lëvizur me motomjetin e shtetasit Eno Flamuraj. Më pas, motomjetin e kanë braktisur në liqenin e Farkës dhe pas kësaj janë larguar me automjetin tip “Audi”, të shtetasit Korrado Katana.