Arti, me aftësinë e tij për të magjepsur dhe ngjallur emocione, ka qenë gjithmonë objekt i pritshmërive të mëdha, shkruan e përditshmja italiane “adnkronos”.
Megjithatë, siç thekson një analizë e fundit e kryer nga “CouponBirds”, sa më të larta të jenë pritshmëritë, aq më i madh është rreziku i zhgënjimit
Ky parim vlen edhe për kryeveprën e famshme të Leonardo da Vinçit, “Mona Lisa”, e përcaktuar si “vepra e artit më zhgënjyese në botë”.
Sipas “CouponBirds” mes 18 000 vlerësimeve të veprave ndërkombëtare të artit, “Mona Lisa” u dallua për përqindjen e konsiderueshme të opinioneve negative, duke regjistruar 37,1%.
Ky rezultat është befasues, sidomos duke pasur parasysh famën mbarëbotërore të kësaj pikture.
Pëlhura, e ekspozuar në Muzeun e Luvrit në Paris, ia kaloi edhe veprave po aq të famshme, si “Liberty Leading the People” (Liria që udhëheq popullin) nga Eugene Delacroix.
Arsyeja kryesore e këtij zhgënjimi nuk qëndron në aftësinë artistike të Leonardos, por në vështirësitë që hasin vizitorët për ta shijuar plotësisht veprën.
Luvri, me turmat e tij të çrregullta dhe çmimet gjithnjë në rritje të biletave, ofron një përvojë stresuese për vizitorët e tij.
“Mona Lisa”, e varur e vetme në një dhomë të mbushur me njerëz, bëhet pothuajse e paarritshme përballë turmës dhe masave të sigurisë të vendosura pas disa episodesh vandalizmi.
Fjalët si “turmë” dhe “e vështirë” përsëriten në opinionet e vizitorëve, të cilët shpesh ndihen të zhgënjyer nga përvoja e vizitës.
Megjithatë, zhgënjimi i shkaktuar nga “Mona Lisa” nuk është një rast i izoluar në botën e artit.
Veprat e famshme në mbarë botën tërheqin turma të çrregullta dhe bileta të shtrenjta, duke minuar përvojën e përgjithshme të vizitorëve.
Parisi, me Muzeun e Luvrit si atraksioni kryesor, u klasifikua si qyteti i artit më pak i vlerësuar nga vizitorët, i ndjekur nga Nju Jorku dhe Firence.