Kryetari i Strukturës së Posaçme anti-Korrupsion, Altin Dumani, para KLP-së po raporton për punën 12 mujore të institucionit që ai drejton. Ai tha se SPAK ka përcaktuar 11 objektiva madhore përgjatë tre viteve të ardhshme, të cilat synojnë forcimin edhe efketshmërinë në goditjen e paligjshmërisë në vend.
Duke theksuar pikat e përgjithshme të arritjeve, Dumani tha se SPAK ka patur një raport të lartë në marrjen e fajësisë në të gjitha shkallët e gjyqësorit. Kjo sipas tij dëshmon profesionalizmin e SPAK, puna e të cilit ka qenë e bazuar tërësisht në ligj.
“SPAK ka patur raport të lartë në marrjen e fajësisë ne te 3 shkallet e gjyqësorit”, tha ai.
Ai shprehu kritika për institucionet shtetërore, të cilat sipas tij kanë ulur rastet e referimeve, ndërsa veçoi Policinë e Shtetit, e cila sipas Dumanit ka kryer siç duhet rolin e vet.
“Disa nga problematikat e SPAK janë: mungesa e qartë ligjore në lidhje me mbarimin e mandatit të një prokurori të SPAK. Do të cenohet vazhdimësia e hetimeve të nisura nga SPAK. Një problematikë është mungesa e këshilltarëve ligjore. Problematike ngelet ngarkesa e shtuar pasi drejtuesit të SPAK i bie barra të përfaqësojë komisionarin publik në KPA, pas përfundimit të mandatit. Kjo është një problematike që ne e adresojmë tek KLP. Problematikë është mungesa e referimeve të institucioneve publike ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, përjashtuar vetëm Policinë e Shtetit, e cila e ka kryer rolin e vet. Janë institucione të nivelit qendror dhe lokal, ky është një shqetësim, pasi SPAK i vetëm nuk adreson dhe përballon luftën kundër korrupsionit apo vepra të tjera penale nga persona që mbajnë një pozicion shtetëror. Ne dhe BKH jemi të hapur dhe shumë bashkëpunues me çdo institucion.”, tha ai./ n.m.abcnews.al