Kryeprokurori Olsian Çela ka raportuar në Këshillin e Lartë të Prokurorisë lidhur me raportin vjetor të Prokurorisë së Përgjithshme për vitin 2023.
“Viti 2023 ishte një vit sfidues për prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm për shkak të çështjeve administrative dhe procedurale që lidheshin me zbatimin e hartës së re gjyqësore dhe vijimit të uljes së numrit të prokurorëve si pasojë e pezullimit apo shkarkimit gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar. Megjithatë, përpjekjet dhe profesionalizmi i prokurorëve në të gjithë nivelet pavarësisht ngarkesës, dhe bashkëpunimi institucional dhe ndërinstitucional, dhanë rezultate në punën hetimore dhe zbatimin e rekomandimeve drejtuar prokurorive me juridiksion të përgjithshëm, siç do të paraqitet në vijim.”, u shpreh ai.Gjithashtu kryeprokurori Çela u ndal edhe tek rezultatet e arritura dhe fokusin e veprimtarisë së Prokurorisë së Përgjithshme.
Ai theksoi se kujdes i veçantë i është kushtuar zbatimit të akteve të përbashkëta me institucione e agjenci ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, si dhe miratimit të marrëveshjeve të reja për të rritur efektivitetin e bashkëpunimit ndërinstitucional.
Pjesë nga deklarata:
“Përgjatë vitit 2023 vlerësoj se janë arritur rezultate në një sërë objektivash në fokusin e veprimtarisë së Prokurorisë së Përgjithshme, kjo në sajë edhe të masave administrative dhe procedurale institucionale, siç janë miratimi i udhëzimeve të përgjithshme dhe planeve të veprimit për të vijuar unifikimin e veprimtarisë së prokurorive me juridiksion të përgjithshëm dhe mbikëqyrja e zbatimit tyre. Kujdes i veçantë i është kushtuar vijimit të zbatimit të akteve të përbashkëta me institucione e agjenci ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, si dhe miratimit të marrëveshjeve të reja për të rritur efektivitetin e bashkëpunimit ndërinstitucional. Kështu, ndër këto masa veçojmë:
– masat për ndjekjen e rekomandimeve të rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë nëpërmjet, detajimit në planin e veprimit të miratuar nga Prokurori i Përgjithshëm, të aktiviteteve të nevojshme për adresimin e çdo rekomandimi, si dhe mbikëqyrjen e zbatimit të tij.
– masat për ndjekjen e rekomandimeve prioritare të Këshillit të Ministrave “Për luftën kundër kriminalitetit për vitin 2023” nëpërmjet, miratimit dhe zbatimit të udhëzimit të përgjithshëm nr. 2/2023 “Për rekomandimet prioritare të Këshillit të Ministrave në luftën kundër kriminalitetit për vitin 2023 në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm”, miratimit me urdhrin nr. 70/2023 të planit të veprimit me aktivitete të qarta për zbatimin e rekomandimeve prioritare. Në këto akte udhëzohen masa administrative dhe procedurale për drejtuesit e prokurorive, drejtuesit e seksioneve dhe prokurorët, për të rritur angazhimin proaktiv, koordinimin dhe bashkëpunimin brenda prokurorisë dhe me prokurori të tjera e me institucionet ligjzbatuese, konsolidimin e kapaciteteve dhe menaxhimin efektiv të punës duke prioritizuar veprat penale të rekomanduara për një sistem prokurorie efikas.
– Masat e marra për ndjekjen e objektivave prioritare institucionale në luftën kundër kriminalitetit, ku fokus të veçantë edhe në vitin 2023 kishte vepra penale e pastrimit të parave, vijimi i punës për zbatimin e udhëzimeve të përgjithshme, zbatimin e hartës gjyqësore, digjitalizimin, monitorimin e veprimtarisë së policisë gjyqësore, bashkërendimin me institucione të drejtësisë dhe ato ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, forcimi i kapaciteteve institucionale.
– Prokuroria e Përgjithshme është angazhuar dhe ka kontribuar në përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga procesi i integrimit në Bashkimin Europian, fokusuar në realizimin e masave ku veçojmë: raportimet periodike për progres raportin për kapitujt 23 e 24, planin e veprimit FATF/ICRG, raportimet për Nënkomitetin Drejtësia, Liria dhe Siguria, dhënien e kontributit në hartimin e Udhërrëfyesit për Shtetin e së Drejtës.
-Në kuadrin e hartës së re gjyqësore, Prokuroria e Përgjithshme është përfshirë dhe angazhuar në fazën e zbatimit të hartës së re gjyqësore në bashkëpunim me Këshillin e Lartë Gjyqësor, Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe Ministrinë e Drejtësisë. Për të unifikuar veprimtarinë proceduralee dhe mirërregulluar aktivitetin administrativ institucional u synua ndërhyrja me akte nënligjore të Prokurorit të Përgjithshëm.
Gjatë vitit 2023, grupi i punës i ngritur me urdhër të Prokurorit të Përgjithshëm, ka ndjekur mbarëvajtjen e procesit dhe ka propozuar marrjen e masave administrative të nevojshme në mënyrë që riorganizimi i prokurorive dhe mbarimi juridik/mbyllja e disave prej tyre, të bëhej në një kohë sa më të shpejtë e duke zgjidhur çdo problematikë të mundshme.
Në kuadër të zbatimit të udhëzimit nr. 1/2023 “Për masat administrative dhe procedurale për zbatimin e hartës së re gjyqësore në prokuroritë pranë gjykatave të shkallës së parë dhe gjykatës së apelit të juridiksionit të përgjithshëm”, u identifikuan, administruan dhe inventarizuan aktet, dokumentet, regjistrat dhe arkivat për të mundësuar funksionimin sa më të shpejtë me qëllim garantimin e respektimit të të drejtave dhe lirive të personave nën hetim, të pandehurve e viktimave në procesin penal, ruajtjen e sekretit të hetimeve apo ndalimin e publikimit të akteve procedurale penale, sigurimin e vazhdimësisë së shërbimeve për publikun në prokurori, sipas afateve e kritereve ligjore të përcaktuara.
Pas studimit të strukturave organike, u planifikua shpërndarja e burimeve njerëzore për të siguruar numrin e nevojshëm të prokurorëve, oficerëve të policisë gjyqësore dhe stafit mbështetës për garantimin e një ngarkese sa më proporcionale të punës.
U transferuan/bashkuan shërbimet e aseteve informatike për gjithë prokuroritë, duke garantuar sigurinë dhe mbrojtjen e tyre nga humbja, aksesi i të tretëve, vijimin e shërbimeve, si dhe monitorimin e vazhdueshëm të aspekteve të sigurisë në prokuroritë e të gjitha niveleve.
Sa i përket kapaciteteve akomoduese, duke njohur problematikat lidhur me infrastrukturën e pamjaftueshme janë planifikuar disa masa që për realizimin e tyre kërkojnë angazhim ndërinstitucional. Këtu përmendim: në Prokurorinë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, kanë vijuar punimet në kuadër të investimit për shtimin e një kati ndërtese i cili do të krijojë hapësira të nevojshme për akomodimin e të gjithë stafit të kësaj prokurorie. Për Prokurorinë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, i është kërkuar Bashkisë Fier marrja në administrim e një godine tjetër. Ka përfunduar detyra e projektimit nga Bashkia Tiranë në bashkëpunim me Këshillin e Lartë Gjyqësor, Prokurorinë e Përgjithshme, Prokurorinë e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm dhe Prokurorinë Tiranë, për ndërtimin e një godine të re akomodimi për të gjitha institucionet e sipërcituara. Pas vënies në dispozicion nga Bashkia Tiranë të një sheshi ndërtimi do të vijohet me hartimin e projektit. Kemi kërkuar angazhimin e Ministrisë së Drejtësisë për realizimin e marrëveshjes ndërmjet Prokurorisë së Përgjithshme, Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Ministrisë së Drejtësisë për vënien në dispozicion të ambienteve akomoduese shtesë/ndërtesa ekzistuese të cilat më pas do t’i nënshtrohen rikonstruksionit dhe përshtatjes, për prokuroritë dhe gjykatat në rrethet Gjirokastër, Vlorë dhe Durrës, pasi ndërkohë që Prokuroria e Përgjithshme ka realizuar detyrimet e saj sipas marrëveshjes, nga ana e palëve të tjera nuk janë respektuar detyrimet e ndërmarra.