Kryeministri Edi Rama nga Elbasani, ku ka inspektuar industrinë e Ferrokromit të AlbChrome në qytetin e Elbasanit, deklaroi se punonjësi është e rëndësishme që të jetë i motivuar dhe gjithashtu i respektuar.

Rama vuri theksin tek rëndësia e kushteve të punës, ndërsa u shpreh se tashmë vendi është në një fazë të re suksesi dhe se të gjitha kompanitë duhet të angazhohen në respektimin, mbrojtjen dhe përmirësimin e cilësisë së mjedisit.

“Paga mesatare e kompanisë, 1 mijë euro. Kompania është  e njohur për përgjegjshmërinë e saj. Jemi në një fazë të re dhe këtë do ta kuptojnë të gjitha kompanitë shqiptare. Shqipëria pasi ka kaluar me sukses procesin e skanimit të BE me celjen e negociatave ka marrë angazhime të forta lidhur me përgjegjësinë kombëtare, individuale në respektimin mbrojtjen dhe përmirësimin e cilësisë së mjedisit. Kjo fazë e re është në zhvillim e sipër. Sipërfaqja e mbrojtur e Shqipërisë është rritur afron 22 %. Edhe kontrolli i shoqëruar me vetëdije të rritur të sipërmarrjeve po jep rezultate pozitive”, tha Rama.

Më tej kryeministri u ndal edhe tek ujërat larës, duke thënë se vendosja e masave drastike ka dhënë rezultatet e duhura dhe se vitin e ardhshëm pritet që të ketë më shumë përmirësime në këtë aspekt.

“Ky do të jetë sezoni më i pastër për ujërat larës. Me vendosjen e një mase drastike për të gjithë sipërmarrësit, sipërmarrjet në fushën e hotelerisë po shohim rezultate që na bindin se sezoni i ardhshëm do të jetë perfekt”, tha ai.