Përfundon procesi i akt verifikimit për kategorizimin e furrave të bukës dhe pastiçerive në të 3 fashat e çmimit të energjisë elektrike prej 7.6 lekë, 9.5 lekë dhe 12 lekë për kWh.

Në total në shkallë vendi sipas kryetarit të Shoqatës së Bukës, Pastiçerive dhe Brumërave Gëzim Peshkopia janë rreth 3,800 furra bukë. Peshkopia thotë se 70% e tyre janë kategorizuar te fasha e çmimit prej 9,5 lekë për kWh ndërsa 30% bëjnë pjesë në fashat e çmimit të energjisë elektrike prej 7.6 lekë dhe 12 lekë për kWh.

Por ka dhe subjekte të tjera sipas tij që për arsye mungese dokumentacioni ose të gjendjes faktike që nuk janë furra buke, paguajnë 14 lekë për kë. “Për të gjitha arsyet ose pretendimet si dhe për sahatet e dyta, në furrat që paguajnë 14 lek ,duhet të drejtoheni në Zyrat e Kujdesit ndaj klientit”, sqarohet nga shoqata e Bukës, Pastiçerive dhe Brumërave

Procesi i verifikimit në terren për ndarjen e subjekteve në 3 kategori nisi më 7 Maj. Deri në 20 Maj, furrat e bukës dhe pastiçeritë plotësuan formularin e shpërndarë nga Furnizuesi i Shërbimit Universal (FSHU) për kushtet konkrete se në cilën fashë të energjisë elektrike përfshihen.

Plotësimi i formularit i paraprin zbatimit të vendimit të ERE-s të miratuar në 15 Prill 2024, për ndarjen e çmimit të energjisë elektrike në 3 fasha, sipas kategorizimit të bizneseve të prodhimit të bukës.

Faturimet e reja që do të kryhen duke filluar 1 Maj 2024 deri në 31 dhjetor 2024 do të zbatohen sipas çmimeve të reja për prodhuesit e bukës. Pas ngritjes së një grupi pune dhe konsultimeve të vazhdueshme, Shoqata e Bukës, Pastiçerive dhe Brumërave dhe MIE e OSHEE Group, kanë rënë dakord për tre çmime të ndryshme sipas llojit të aktivitetit që ka subjekti.

Në vendimin e miratuar nga ERE për kategorinë e parë ku përfshihen “Vetëm Furra buke/prodhim mielli” çmimi i energjisë elektrike do të jetë 7.6 lekë/kWh. Për kategorinë e dytë “Furrë buke, produkte mielli shoqëruese, pastiçeri” çmimi do të jetë 9,5 lekë/kWh dhe për kategorinë e tretë “Furrë buke, produkte mielli shoqëruese, pastiçeri, shërbim Kafe” çmimi do të jetë 12 lekë/kWh.

Sipas vendimit të miratuar në 2018 nga ERE më përpara vetëm furrat e bukës dhe prodhimit të miellit për tension 0.4 kv paguanin një tarifë të subvencionuar prej 7.6 lekë/kWh.

Ndërsa për bizneset të lidhura në tension 0.4 kv tarifa e energjisë është 14 lekë për kWh. Por pavarësisht vendimit të mëparshëm aktualisht të gjitha furrat në vend pavarësisht shërbimeve që ofronin si pastiçeri apo bar-kafe, energjinë e blinin me 7.6 lekë./D.Azo


Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.