Derbi i Ballkanit ndez “Euro2024”, Kroaci-Shqipëri është një sfidë “jetë e vdekje” për të dy ekipet, kush humbet me 99% është jashtë, për këtë janë të qartë të dy trajnerët, por ndryshe nga Sylvinho, Dalic kërkon më shumë respekt për përfaqësuesen që ai drejton, fundja në 7 vitet e fundit kanë marrë 3 medalje:

“Gjithmonë na japin pak shanse, askush nuk beson te ne, por në 7 vitet e fundit kemi fituar 3 medalje. Pas Francës, jemi e vetmja përfaqësuese që e kemi bërë këtë, meritojmë më shumë respekt. Anglia ka fituar vetëm një trofe 50 vite më parë, por sërish e shohin si një ekip të madh, ndërsa ne jemi gjithnjë jo favoritë”, u shpreh Dalic në konferencë për shtyp duke u ndalur më pas te sfida me Shqipërinë duke pranuar se do të jetë ndeshje e vështirë, por ekipi i tij do të dijë të reagojë pas humbjes kundër Spanjës:

“Shqipëria nuk është një rival me të njëjtën cilësi si Spanja, por meriton shumë respekt. Ata janë të motivuar dhe të organizuar, duhet të jemi të durueshëm dhe të kujdesshëm. E dimë që synimi ynë është të fitojmë, do të jemi më sulmues, duam të bëjmë më mirë. Kundër Spanjës kishim edhe topin, kishim më shumë raste, por tani duhet të jemi edhe më mirë. Do të ketë ndryshime në përbërje, do ta vendosim më pas”, u shpreh Dalic në konferencë për shtyp duke shtuar ndër të tjera se ndaj Shqipërisë duhet të kenë durim, nuk duhet të nxitojnë, por të arrijnë rezultat me cilësi dhe me një lojë të qartë.

(BalkanWeb)