Kardiologu Indrit Temali tha se moti i nxehtë ka efekte të drejtpërdrejta mbi shëndetin.
Mjeku shprehet se i nxehti ndikon në problemet me zemrën për shkak të zgjerimit që bëjnë enët e gjakut. Ai shton se efekte të tjera anësore janë tensioni dhe tromboza.
“Enët e gjakut duke tentuar që të ulin nxehtësinë, zgjerohen që të shkëmbejnë sa më shumë nxehtësinë dhe kjo bën të ulet tensioni, ndonjëherë çon dhe në të fikët. Gjithashtu është parë që ka një rritje të problemeve inflamatore brenda enëve të gjakut që kalon në trombozë dhe e natyrshme është që dehidrohesh dhe bëhesh më trombotike, pra priresh më shumë për trombozë” tha mjeku për “Euronews Albania”.
Kardiologu tregoi se ka disa shenja që bëjnë të dukshme goditjen e diellit. Ai thekson se këto simptoma duhet të merren seriozisht pasi mund të jenë dhe fatale.
“Duhet kuptuar shenjat e dehidrimit si etje, por dhe shenjat e goditjes nga dielli. Zemra rreh gjithmonë e më shpejt pastaj dhe shenjat neurologjike si dhimbje koke je i turbullt. Këto janë shenja që trupi nuk përballon goditjen nga dielli që ndonjëherë është fatale kështu që në radhë të parë duhet larguar nga dielli hidratimi”, vijoi ai.