Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, është thirur këtë të Hënë në SPAK, për tu marë në pyetje lidhur me hetimet që prokuroria e posaçme SPAK, ka nisur për pasurinë dhe pastrimin e parave.
Hetimet në këtë rast janë duke u udhëhequr nga prokurori i SPAK, Elvin Gokaj, i cili për më shumë se 1 viti po kryen verifikime për pasurinë e ish-ministrit të Brendshëm Tahiri dhe familjarëve të tij.
Pak kohë më parë SPAK, mori dëshminë e bashkëshortes së Tahirit, biznesmenit Lulzim Morina dhe disa personave të tjerë, përfshirë motrën dhe kunatin e Tahirit.
Hetimi ka zbuluar se në një nga pronat e trashëguara nga bashkëshortja e Tahirit, është duke u ndërtuar një pallat në zonën e ish-sheshit “Shqiponja” në Laprakë.
Rezulton se në datën 4 shkurt të vitit 2022, Apeli i Gjykatës Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit pas një seance maratonë, dënoi Tahirin me 5 vite burg për “Shpërdorim të detyrës”.
Por me gjykim të shkurtuar dënimi u ul në 3 vite e 4 muaj burgim. Tahiri u dënua vetëm për “Shpërdorim detyre” duke i “shpëtuar” akuzave “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal”.
Ai qëndroi vetëm një vit e katër muaj në qeli,deri në qershor 2023 kur dhe u mor vendimi nga kryetarja e gjykatës së Elbasanit, që vuajtja e dënimit të mbetur të kryhej në banesë, me qëllim që Tahiri të kujdesej dhe për fëmijët.