Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi ka reaguar lidhur me situatën e zjarreve në vend.
Sipas informacioneve, në 24 orët e fundit në të gjithë territorin e vendit, janë 21 vatra zjarri.
Mësohet se 18 prej tyre janë shuar falë përpjekjeve të vazhdueshme të qindra forcave operacionale që po punojnë në terren, në këto temperatura të larta.
Po Sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile 3 vatra zjarri janë ende aktive.
Efektivët e Forcave të Armatosura e Forcat Zjarrfikëse, së bashku me ato të shërbimit pyjor po punojnë për izlomin e plotë të vatrës në fshatin Pregjë-Lurë, në Dibër. Puna ka vazhduar për shuarjen e zjarrit të rënë në fshatin Shënmëri të bashkisë Mirditë si dhe në vatrën e zjarrit midis fshatrave Goranxi dhe Derviçan, në Dropull të Poshtëm.
Për shkak të temperaturave, terrenit të vështirë dhe erës së fortë zjarri dje në këtë zonë mori përmasa të mëdha duke përkeqësuar situatën në fshatrat Dhuvjan, Goranxi dhe Derviçan.
“Forcat e Armatosura janë përherë në gatishmëri për të ndihmuar në shuarjen e zjarreve, sa herë kërkohet ndërhyrja e tyre. Ju lutemi banorëve të bashkëpunojnë me autoritetet vendore, duke raportuar në kohë vatrat e zjarrit, për të shmangur përhapjen në sipërfaqe më të gjera”, thuhet më tej në njoftimin e Ministrisë së Mbrotjes.