Banka Europiane e Rindërtimit dhe Zhillimit (BERZH) është duke shqyrtuar një kredi prej miliona eurosh për rindërtimin e aksit Durrës-Rrogozhinë.
Sipas mediave të huaja mësohet se kredia prej 30 milionë eurosh nga BERZH do të vendoset në dispozicion për të rindërtuar 33.5 km të aksit rrugor Durrës-Rrogozinë. Ky aks është dhe pjesë e Korridorit VIII Paneuropian të Bashkimit Europian, i cili lidh portin e Durrësit me Maqedoninë e Veriut dhe portet e Bullgarisë.
Korridori VIII është pjesë e Rrjetit Kryesor të Ballkanit Perëndimor dhe një pjesë e rëndësishme e Rrjeteve të Transportit Trans-Europian në rajon.
Projekti, që pritet të përfundojë në vitin 2028, do të bashkëfinancohet nga Banka Evropiane e Investimeve dhe BE-ja përmes Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor.
Në fillim të këtij viti Bashkimi Europian miratoi një paketë investimi për projektin me vlerë 120.5 milionë euro.