Gjykata e Lartë, ka zbardhur vendimin e dënimit me burgim të përjetshëm të Dritan Dajtit, i cili akuzohej nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për vrasjen e 5 personave në Durrës, mes të cilëve 4 punonjës të grupit të operacionales në Policinë e Shtetit, Fatos Xhani, Sajmir Duçkollari, Altin Dizdari dhe Kastriot Feskaj, ngjarje kjo e ndodhur në 7 Gusht 2009.
Në 74 faqe vendim, kolegji penal i kësaj gjykate Ilir Panda, Artur Kalaja dhe Sandër Simoni, kanë argumentuar se Gjykata e Apelit për Krime të Rënda, ka vepruar gabim në zgjidhjen e situatës ligjore, duke favorizuar Dritan Dajtin, për heqjen e dënimit me burg përjetë dhe dënimin e tij me 25 vite burgim.
Sipas gjykatës së Lartë favorizimi në Apel ka ardhur duke i pranuar Dajtit kërkesën për gjykim të shkurtuar, duke ulur dënimin në masën 1/3.
Treshja e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, thonë se vendimi Nr. 13 i datës 8 shkurt 2019 që dënonte Dajtin me 25 vite burgim për vrasjen e 4 policëve, falsifikim dokumentesh dhe mbajtjes pa lejë të armëve, është marrë në kundërshtim me Nenin 403 të Kodit të Procedurës Penal si dhe me vendimin unifikues të Kolegjeve të Bashkuara të datës 29 janar 2003.
Duke u nisur nga kjo bazë ligjore, Gjykata e Lartë, gjeti shkak për të prishur vendimin e tre gjyqtarëve të Apelit për Krime të Rënda, Aleks Nikolli, Petrit Aliaj dhe Skënder Damini, të cilët i hoqën Dajtit dënimin me burg përjetë dhe i dhuruan atij dënimin me 25 vite burgim.
Gjykata e Lartë ka konsideruar se Gjykata e Apelit për Krime të Rënda ka lënë në fuqi vendimin e gjykatës së shkallës së parë për krime të rënda, për të gjitha disponimet përveçse vendimit të ndërmjetëm për mospranimin e gjykimit të shkurtuar dhe dhënies së përfitimit ligjor për uljen e dënimit.
Kolegji çmon se ndonëse ky disponim për pjesën që lë në fuqi vendimin e shkallës së parë është i drejtë, meqenëse për këtë pjesë nuk ka pasur rekurs dhe Gjykata e Lartë ka prishur vendimin e gjykatës së apelit për pranimin e gjykimit të shkurtuar, vendimmarrja e gjykatës së shkallës së parë për krime të rënda edhe për këtë pjesë duhet të lihet në fuqi.
Ndaj nisur nga këto rrethana është vendosur të prishet vendimi i Apelit, duke lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda i marrë në 23 korrik 2014, duke dënuar Dritan Dajtin me burgim të përjetshëm.
Heqja e dënimit me 25 vite burgim dhe dënimi i Dajtit me burgim të përjetshëm është bërë në datën 11 qershor 2024. Ndërkohë në 4 korrik 2024 Dritan Dajti duhej të linte qelinë e tij, ku vuan dënimin në burgun e sigurisë së Lartë në Peqin.
Ky ndryshim pozitash në masën dënimit, ka sjellë pakënaqësi tek Dritan Dajti, i cili tashmë ka nisur një valë kërkesash në Gjykatën e Elbasanit, duke kërkuar që kjo gjykatë të shuajë vuajtjen e dënimit me 25 vite burgim, duke pretenduar se vendimi i Gjykatës së Lartë është i pa ekzekutueshëm.