Bashkimi Europian e përshëndeti vendimin e Prishtinës zyrtare për heqjen e kufizimit ndaj mallrave serbe, duke e cilësuar si një “hap të duhur” drejt zhbllokimit të vendimmarrjes në CEFTA.
BE-ja shpreson që në këtë mënyrë, të hapet rruga për sukses në samitin e Procesit të Berlinit, i cili zhvillohet javën e ardhshme në Gjermani. Burime diplomatike në Bruksel pohuan për REL se ishte Gjermania që ka punuar për zgjidhjen e këtij ngërçi, i ka njoftuar edhe vendet e tjera për ecurinë e bisedimeve me Kosovën dhe me Serbinë.
Ata thonë se ende nuk i dinë të gjithë detajet nga bisedimet rreth CEFTA-s sepse, përveç heqjes së kufizimit ndaj mallrave nga Serbia nga ana e Kosovës, duhet gjetur edhe modaliteti për pjesëmarrjen e Kosovës dhe një zgjidhje me të cilat do të pajtoheshin të gjitha palët. Kosova është anëtare e CEFTA-s prej vitit 2007, por është e përfaqësuar përmes misionit të OKB-së në vend – UNMIK.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti,e ka bërë të qartë se pret që në takimin e radhës, Kosova të përfaqësohet me emrin e saj. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka rikujtuar rëndësinë që CEFTA-s ka për tregun rajonal dhe ka përsëritur mbështetjen e fuqishme të bllokut për këtë.
“BE-ja mbështet tregtinë e lirë të mallrave në gjithë Ballkanin Perëndimor, në përputhje me rregullat e CEFTA-s. Kjo është kyçe për funksionimin e tregut të përbashkët rajonal dhe pjesë përbërëse e planit për rritje në rajon, dhe të dyja këto sjellin përfitime të dukshme për qytetarët në të gjithë rajonit“, theksoi ai.
Top Channel