Ish-presidenti Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi janë paraqitur këtë të mërkurë në ambientet e GJKKO për të mësuar masën ndaj tyre.

Megjithatë seanca është shtyrë për në orën 13:30, pasi gjyqtari u dha kohë prej 3 orësh avokatëve mbrojtës të së pandehurve.

Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha ka zbardhur më shumë detaje rreth procesit që u zhvillua me dyer të mbyllura, duke cituar burime shumë të sigurta.

Ndër të tjera gazetarja Hoxha tha se nëse lihet masa “arrest me burg”, Ilir Meta nuk do niset drejt Bllokut të Sigurisë.

“Procesi ka nisur me dyer të mbyllura dhe me normalitet në orën 09:30. Sipas burimeve shumë të sigurta, pasi gjyqtari ka bërë apelin dhe ka kryer verifikimin e kushteve, të dyshuarve. Kraja sipas burimeve ka nisur të lexojë kushtet e SPAK. Në momentin që Kraja ka treguar, sipas burimeve shumë të sigurta i ka thënë Çelës që arrestimi është kryer pa incident. Në këtë moment Meta shpërtheu dhe tha se arrestimi i tij nuk ndodhi pa incidente.

Sipas burimeve shumë të sigurta, më tej Meta ka thënë që arrestimi i tij është bërë me urdhër të Edi Ramës dhe të narko shtetit. Ndërkohë ka ndërhyrë avokati Genc Gjokutaj që ka kërkuar kohë. Kjo është arsyeja pse seanca është shtyrë nga gjyqtari Çela. Ai i dha kohë avokatëve mbrojtës që të njihen me materialet për secilin prej të dyshuarve. Disa nga avokatët vazhdojnë të lexojnë materialet. Gjokutaj është parë të dalë nga ambientet e seancës. Mbasi u shty procesi gjyqësore ka dalë dhe ka dhënë deklaratë Monika Kryemadhi. Ajo dha një deklaratë kur hyri, po ashtu dha deklaratë dhe akuzë kur doli nga seanca.”, tha Hoxha.

Top Channel