Leonard Duka, i akuzuar për organizimin e vrasjes së Santiago Malkos ka dhënë dëshminë e tij në seancën e sotme në GJKKO. Duka iu përgjigj pyetjeve të prokurorit, Behar Dibra për ngjarjen e ndodhur më 27 gusht 2019.
Ai tha se njihej me Malkon prej shumë vitesh dhe se vrasjen e kishte mësuar pasi ishte shoqëruar nga policia. Po kështu Duka, i cili është marrë i pandehur, tha se me Malkon kishin një shok të përbashkët, Ervis Martinaj.
“Ditën e ngjarjes jam shoqëruar nga policia. Aty kam mësuar për ngjarjen. Kam qenë në lokal te biznesi im, në orën 10 mbylla lokalin, duke ikur për në shtëpi më shoqëroi policia. Si çdo ditë tjetër kemi ngrëne drekë me stafin dhe pastaj kam vazhduar rrjedhën. Isha me vëllain, Ervin Dukën në makinë, bëri shenjë policia dhe shkuam në polici.
Ku e dija unë kush kishte vdekur, aty e mora vesh. Kam qenë para shumë vitesh me të ndjerin, kemi pasur shoqëri të përbashkët. Pasi rregulluan letrat në mënyrë korruptive më shpallën në kërkim. Nuk e di pse jam këtu”, mësohet të ketë thënë Duka.
Ai ka deklaruar se ishte njohur 15 vite më parë me Malkon dhe ka mohuar pronësinë mbi makinën e dyshuar.
“15 vjet më parë ndodhi njohja jonë. Para 15 vitesh kam qenë në shkollë, vërdallë. Nga shoqëria e përbashkët na ka ra me e njoh se Shqipëria e vogël është. Jemi nga një zonë, unë jetoja në Fresk, ai në lagjen tjetër. Po të citoj gjithë emrat e lagjes janë 200 veta. Gjithë zonën e njoh, të gjithë njihemi me njëri-tjetrin.
Më pyet për ngjarjen jo për lokalin. Ça lidhje ka kjo? Në 2019 kisha një lloto futbolli, Max Lloto e kisha në pronësi. E kam pas të shtrirë në të gjithë Shqipërinë.
Administratorët e pikave që ishin nëpër Shqipëri, ishim për darkë. Kur u ngritëm, ikëm të gjithë, nuk e di me çfarë kanë ardhur ata aty. Unë kam qenë me Audi-n, nuk e di për makina të tjera. Volkswagen nuk e di fare, nuk merrem me makinat që ishin aty, unë kam pasur makinën time”, tha ai.
Prokurori: Po Skoda Roster ku e mbanit?
Leonard Duka: Unë po të jap përgjigje për respekt të gjykatës, se ti nuk e meriton.
Behar Dibra: Për respekt të së vërtetës. Jo për mua.
Leonard Duka: Ke 6 vjet më ke mbajtur kot në kërkim.
Nuk e di me se është marrë Santiago Malko, kisha 3 vjet pa e parë. Kur e takova nuk isha vetëm me të. Shoku i përbashkët ka qenë Ervis Martinaj. E kam pasur shokë prej 15 vjetësh, jemi ndarë në 2017, secili në punën e vet. Por e kam ruajtur respektin për të.
Unë kam pasur bizneset e mia, ai të vetat. Edhe ai ka pasur bastet e veta. Nuk e di me se është marrë. Pasi u ndamë nuk e di ç’ka bërë. Nuk kemi pasur asnjë marrëdhënie borxhi. Kur jemi takuar herë të tjera nuk kemi qenë bashkë por me miq të përbashkët. Nuk ua mbaj mend emrat. Jemi takuar nëpër club-e, lokale.
Nuk kemi pasur asnjëherë konflikt, as unë as familja ime. Çuna të rinj jemi, jemi zënë, jemi gri, pse ty nuk të ka ndodhur ndonjëherë të zihesh. Kjo punë nuk ka lidhje me ngjarjen, nuk e di sa herë është zënë vëllai im rrugëve.
Sherrin e vëllait, Erlisit, e kam marrë vesh nëpërmjet robve të mi, se isha në Gjermani. Mora vesh që vëllai është zënë për çështje pse më shef.
Në dijeni për vëllain më vuri babi. Me vëllain nuk komunikova dot se u fut në burg, pastaj në gjyq. Rivelino Mumajesin e njoh, kur është plagosur
Pasi gjyqtarja i ka tërhequr vëmendjen për të ruajtur qetësinë, Duka akuzoi sërish prokurorin.