Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, është thirrur mëngjesin e sotëm në Prokurorinë e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar.

Sipas asaj që raporton gazetarja e Klan News, Glidona Daci, Tahiri ka dëshmuar për rreth 1 orë lidhur me çështjen e “21 Janarit”.

Pasi ka dalë nga ambientet e Prokurorisë së Posaçme, Tahiri ka thënë se ka dhënë deklarime për “21 Janarin” si kallëzues, por edhe në cilësinë e protestuesit gjatë kohës kur PS-ja ishte në opozitë.

Saimir Tahiri: U pyeta për rolin që kam pasur në datën 21 Janar dhe për kallëzimin që kam bërë në 2015. Në 21 Janar kam pasur rolin e protestuesit, të gjithë kemi qenë protestues. Pjesët e tjera i takojnë hetimit. Nuk dua të vazhdoj më tej.

Në 21 Janar të vitit 2011 gjatë protestës që u zhvillua përpara Kryeministrisë humbën jetën Aleks Nika, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Hekuran Dedja, të cilët 10 vite më vonë u shpallën nga qeveria socialiste “Dëshmorë të Atdheut”.

PS-ja e cilësoi krim shtetëror dhe kërkoi nisjen e hetimeve për të vënë drejtësinë në vend./tvklan.al