Në SPAK, këtë të hënë ka dëshmuar ish deputeti i PS-së Arben Çuko, në lidhje me ngjarjet e 21 Janarit. Çuko deklaroi se është thirrur në cilësinë e personit që ka dijeni për vrasjet e 4 protestuesve në janar të 2011.

“Çuko është thirrur në lidhje me hetimet nga ana e prokurorisë për vrasjet me 21 Janar. Është thirrur në cilësinë e personit që ka dijeni, ka qenë një ndër organizatorët e tubimit të mbajtur në janar 2011, ku humbën jetën 4 protestuesit. Ai ka pranuar se ka qenë si person që ka dijeni. Po vijon marrja në pyetje e personave të PS që kanë organizuar protestën por edhe ata që kujdeseshin për mbarëvajtjen e protestës.”, raportoi gazetari Ermal Vija.

Javën e kaluar, në SPAK u thirr edhe ish ministri i Brendshëm Saimir Tahiri dhe deputeti socialist Xhemal Qefalia si persona që kanë dijeni për ngjarjen. Tahiri qëndroi për më shumë se 1 orë e 30 minuta dhe deklaroi se dha sqarime si person që ka dijeni për ngjarjen e ndodhur 13 vite më parë. Tahiri u pyet si ish-kryetar i Partisë Socialiste për Tiranën dhe si një ndër organizatorët e protestës.

Ditët e fundit janë thirrur në prokurori edhe ish zëvendës Drejtori i Policisë së Shtetit, Agron Kuliçaj si dhe Hysni Burgaj, ish Drejtori i Përgjithshëm i Policisë.

SPAK po kryen hetime për vrasje në rrethana cilësuese të kryer në bashkëpunim, shpërdorim detyre dhe veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës. Hetimet nisën pas vendimit të gjykatës së lartë dhe me kërkesë të familjarëve të viktimave, që dyshojnë se të përfshirë në vrasje rezultojnë funksionarë të lartë shtetërorë përfshi ish-kryeministrin Sali Berisha, ish-ministrin e Brendshëm Lulzim Basha dhe drejtues të lartë të gardës së Republikës./abcnews.al