Apeli i GJKKO la në fuqi vendimin e shkallës së parë për dënimin me burg të përjetshëm për Laert Haxhinë për akuzën e masakrës së Lushnjës.

Kundër vendimit lejohet rekurs brenda 45 ditëve në Gjykatën e Lartë, duke nisur ky afat nga dita e nesërme e njoftimit.

Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dha pretencën më 4 prill 2024 për Leart Haxhiun, I akuzuar për “masakrën” e Lushnjës në 2017-ën.

Haxhiu, i njohur ndryshe si “rivali” i Aldo Bares, ish-kreut të bandës së Lushnjës, akuzohet për vrasjen e e Zamir Latifit dhe Jurgen Hoxhës si dhe plagosjen e Marjus Xhepexhiut dhe Bujar Turkut në Lushnjë në vitin 2017.

Njoftimi i plotë:

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Florjan Kalaja (kryesues), Saida Dollani (anëtare) dhe Tereza Merkaj (anëtare), më datë 13.11.2024, shpalli vendimin lidhur me çështjen e regjistruar me nr. 49 akti, datë 09.09.2024 regjistrimi, mbi ankimin e ankuesit/të pandehurit L.H., kundër vendimit nr. 26, datë 24.04.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, që ka vendosur:

1. Deklarimin fajtor të të pandehurit L.H. për kryerjen e veprës penale “Vrasja me paramendim” për hakmarrje, mbetur në tentativë ndaj viktimës Xh.Sh., kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga neni 78 paragrafi i dytë, në lidhje me nenet 22 dhe 28 pika 4 të K.Penal si dhe në bazë të nenit 334 pika 2 të Kodit Penal, dënimin e tij me 25 (njëzet e pesë) vjet burgim.
2. Deklarimin fajtor të të pandehurit L.H. për kryerjen e veprës penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” ndaj dy ose më shumë personave, ndaj viktimave Z.L., J.H., B.T. dhe M.Xh., kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga neni 79/dh, në lidhje me nenin 28 pika 4 të K.Penal si dhe në bazë të nenit 334 pika 2 të Kodit Penal, dënimin e tij me burgim të përjetshëm.
3. Deklarimin fajtor të të pandehurit L.H. për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa lejë dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga neni 278 paragrafi i parë, në lidhje me nenin 28 pika 4 të K.Penal si dhe në bazë të nenit 334 pika 1 të Kodit Penal, dënimin e tij me 10 (dhjetë) vjet burgim.
4. Deklarimin fajtor të të pandehurit L.H. për kryerjen e veprës penale “Grup i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a paragrafi i parë i K.Penal, dhe dënimin e tij me 5 (pesë) vjet burgim.
5. Pushimin e akuzës penale në ngarkim të të pandehurit L.H. për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga neni 274, në lidhje me nenin 28 pika 4 të K.Penal, pasi ndjekja penale nuk duhet të fillonte.
6. Në aplikim të nenit 55 paragrafi i parë i K.Penal, bashkimin e dënimeve dhe dënimin përfundimisht të të pandehurit L.H. me një dënim të vetëm, atë me burgim të përjetshëm.
7. Vuajtja e dënimit për të pandehurin L.H. të kryhet në një IEVP, burg i sigurisë së lartë.
8. Shpenzimet procedurale gjatë fazës së hetimit i lihen në ngarkim të pandehurit L.H. në mënyrë solidare bashkë me të dënuarit O.B. dhe A.K., ndërsa shpenzimet e gjykimit i lihen në ngarkim të pandehurit L.H..
9. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim nga palët brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, afat i cili fillon nga dita e nesërme e njoftimit të vendimit.

Në përfundim, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi:

1. Lënien në fuqi të vendimit nr. 26, datë 24.04.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
2. Shpenzimet e procedimit penal në ngarkim të të pandehurit z. L.H.
3. Kundër vendimit lejohet rekurs brenda 45 ditëve në Gjykatën e Lartë, duke nisur ky afat nga dita e nesërme e njoftimit të vendimit të arsyetuar.

Top Channel