Altin Dumani gjatë fjalës së tij në kuadër të 5-vjetorit të krijimit të SPAK, u shpreh se aspirata e Prokurorisë së Posaçme është krijimi i një sistemi drejtësie të fortë që i shërben të gjithëve në mënyrë të barabartë.

Më tej Dumani u shpreh se kush mendon se drejtësia është e njëanshme gabohet, ndërsa theksoi se korrupsioni dhe krimi nuk mund të zhduket brenda ditës.

Sakaq ai u ndal te kërcënimet, ku tha se “Jemi betuar për t’i shërbyer vendit, drejtësisë shqiptare dhe qytetarëve shqiptarë”.

“Drejtësia nuk njeh anë dhe kahe; nuk ka të paprekshëm nëse ligjet e këtij vendi shkelen. Janë proceduar 61 zyrtarë të lartë për korrupsion, nga të cilët 70% janë dërguar në gjykim. Sa i përket krimit të organizuar, janë proceduar 955 persona nga ku 55% e tyre janë dërguar në gjykim. Në fushën e terrorizmit, janë proceduar 29 persona nga ku 100% e tyre janë dërguar në gjykim. Në këto pesë vite kemi ndëshkuar zyrtarë të lartë të te gjitha niveleve dhe kemi treguar se korrupsioni sfidohet, krimi i organizuar vihet përpara përgjegjësisë, dhe askush nuk është mbi ligjin.

Ne jemi krenarë për kontributin tonë në lehtësimin e integrimit të Shqipërisë në familjen evropiane, duke ruajtur standardet evropiane të zbatimit të ligjit. Misioni ynë nuk përfundon me dosjen e radhës. Ne jemi këtu për të garantuar një sistem drejtësie të fortë, ku ligji zbatohet dhe nuk është privilegj për disa e vuajtje për të tjerët.”, tha ai.

Top Channel