Në mbledhjen e datës 9 janar 2025, Këshilli i Ministrave miratoi një vendim që përcakton standardet e sigurisë dhe rregullat për sipërfaqet e kultivimit dhe përpunimit të kanabisit për qëllime mjekësore në vendin tonë.
Vendimi gjithashtu rregullon lëvizjen e automjeteve të transportit për lëndët e para dhe produktet finale të subjekteve të licencuara.Subjektet që kërkojnë licencë për kultivimin e kanabisit mjekësor duhet të përmbushin kritere të rrepta sigurie, si:
– Monitorim të vazhdueshëm me kamera CCTV me rezolucion të lartë dhe ruajtje të të dhënave filmike deri në një vit në serverë “Cloud” brenda BE-së.
– Rrethim me mur betoni 4 metra të lartë, me tela gjembash, për ambientet e hapura dhe të mbrojtura.
Ruajtje 24-orëshe nga subjekte të specializuara sigurie, të licencuara nga legjislacioni në fuqi.
– Pajisje teknologjike të avancuara për kontrollin dhe detektimin e hyrjeve të paautorizuara.
Vendimi, i propozuar nga ministritë e Brendshme, të Bujqësisë dhe të Shëndetësisë, synon të rregullojë një industri të re duke garantuar siguri në hapat e këtij procesi.