Më 23 shkurt, kryeministri Edi Rama mikpriti në aeroportin “Nënë Tereza” të Tiranës presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohamed bin Zayed Al Nahyan, me të cilin firmosi disa marrëveshje bashkëpunimi.

Mes marrëveshjeve të nënshkruara ishte edhe një letër angazhimi për projektin Albania Smart City, i cili parashikon instalimin e një rrjeti të avancuar kamerash dhe radarësh në qytetet kryesore të Shqipërisë me synimin e rritjes së sigurisë publike.

Marrëveshja u firmos mes ministrit të Brendshëm, Ervin Hoxha dhe Sulltan Al Jaber, kryetar i kompanisë “Presight AI Ltd” – një kompani të dhënash dhe Inteligjence Artificiale e regjistruar në Abu Dhabi.

Projekti “Smart City” është përfshirë në listën e projekteve me rëndësi kombëtare nga qeveria shqiptare dhe parashikohej të kushtonte 60 milionë dollarë amerikanë.

Por pas vizitës së presidentit të Emirateve të Bashkuara në Tiranë, kostot e projektit janë thuajse dyfishuar dhe pritet të mbulohen përmes një huaje me Fondin për Zhvillim të Abu Dhabit.

Detajet e marrëveshjes zbulohen përmes një projektligji të depozituar në Kuvend për ratifikimin e marrëveshjes së huasë me vlerë 118.5 milionë dollarë, e cila do të shkojë për financimin e projektit “Sistemi i kamerave nën administrimin e Policisë së Shtetit – Smart City”.

Qeveria nuk argumenton rritjen e kostos nga 60 milionë në 118.5 milionë dollarë në relacionin shpjegues, ndërsa thekson se e gjithë vlera do të përdoret për të financuar projektin që synon rritjen e nivelit të sigurisë publike.

Por sipas dokumentit, qeveria shqiptare pret të marrë mbrapsht instalimin e 2 239 kamerave ANPR (njohje automatike e targave) dhe 2 602 kamerave PTZ për monitorimin e trafikut si dhe 3 816 kamera trupi për policinë. Projekti përfshin gjithashtu instalimin e 100 radarëve inteligjentë dhe po kaq sensorëve për të monitoruar trafikun në rrugët e Shqipërisë.

Të pyetur për arsyet e dyfishimit të kostos, Kryeministria dhe Ministria e Brendshme nuk iu përgjigjën kërkesave për koment deri në publikimin e shkrimit.

Ndërsa sipas ekspertëve të ekonomisë, kjo lë hapësirë për dyshime mbi fryrjen artificiale të vlerës së kontratës.

“Kjo rritje prej gati 100% nuk ka një shpjegim të argumentuar publikisht. Nuk është paraqitur një analizë e detajuar e faktorëve që kanë ndikuar në këtë shtim të kostove, duke krijuar hapësira të mëdha për dyshime mbi fryrjen artificiale të vlerës së kontratës,” thotë Eduard Gjokutaj, themelues i organizatës së edukimit financiar, “Altax”.

Pa garë dhe transparencë

Projekti “Smart City” u zyrtarizua për herë të parë gjatë një ceremonie zyrtare në Abu Dhabi në prill 2024, ku ministri i atëhershëm i Brendshëm, Taulant Balla nënshkroi një memorandum mirëkuptimi me kompaninë ‘Presight AI‘ – pjesë e grupit G42 me bazë në Emiratet e Bashkuara Arabe. Balla tha më vonë se projekti i kamerave inteligjente do të shtrihej në Tiranë dhe 19 qytete të tjera të vendit.

Projekti është pritur me shqetësime nga ekspertët e të drejtave digjitale, të cilët theksojnë se ai mbart rrisqe sa i përket ndërhyrjes së madhe në privatësinë e qytetarëve dhe sigurinë e të dhënave që do të mblidhen nga kamerat. Lidhjet kineze të kompanisë ‘Presight AI” kanë ngritur gjithashtu shqetësime në Kongresin e Shteteve të Bashkuara.

Për opozitën në Shqipëri, projekti mbart edhe probleme të tjera.

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku e krahasoi marrëveshjen e projektit “Smart City” me praktikat e mëparshme të “ligjeve speciale” të qeverisë, që bien sipas saj në kundërshtim me praktikat e legjislacionit europian.

Tabaku theksoi gjithashtu se ka një errësirë informacioni për arsyet e marrjes së huave dhe për dyfishimin e vlerës së saj.

“Kjo marrëveshje është e paracaktuar dhe shkel me të dyja këmbët marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me BE-në,” tha Tabaku. “Socialistët interesohen vetëm të integrojnë më shumë interesa të ngushta dhe shpesh okulte në xhepin e pakicës dhe kurriz të shumicës,” shtoi ajo, duke akuzuar mazhorancën në pushtet për zbatimin e një praktike të tillë të “ligjeve me porosi” në të paktën 20 raste.

Tabaku i druhet gjithashtu përdorimit të kësaj teknologjie nga mazhoranca për qëllime politike, në kushtet kur sipas saj Policia e Shtetit është në shërbim të Partisë në pushtet dhe kur rreziku i keqpërdorimit të kapaciteteve të Inteligjencës Artificiale është gjithnjë e më i madh.

“Pikëpyetjet qëndrojnë në lidhje me mënyrën se si operon qeveria shqiptare,” shtoi Tabaku, ndërsa kujtoi rastet kur Partia Socialiste i kishte përdorur të dhënat personale të qytetarëve për qëllimet e veta politike.

Edhe Gjokutaj thekson se anashkalimi i një procesi transparent prokurimi me projektin “Smart City” shkel marrëveshjen e Stabilizim- Asocimit me Bashkimin Europian.

“Në kushtet kur një projekt i tillë i jepet pa garë një kompanie të zgjedhur në mënyrë preferenciale, dhe mungesa e një tenderi të hapur rrit dyshimet për kapjen e kontratës nga interesa të lidhura me pushtetin,” tha Gjokutaj.

“Mungesa e garës automatikisht krijon rreziqe të larta për korrupsion dhe klientelizëm,” shtoi ai.

Kushtet e kthimit të borxhit, sipas ekspertit, rrezikojnë gjithashtu t’a kthejnë atë në një barrë për buxhetin e shtetit në dy dekadat e ardhshme. Sipas Gjokutajt, marrëveshja e huasë me fondin e Abu Dabit ka dhe problematika të tjera, të tilla si norma e interesit, 4%, që sipas tij është e lartë për një hua zhvillimi, apo zgjedhja e valutës në dollarë, çka ekspozon rreziqe nga kursi i këmbimit.

“Zgjedhja e një burimi më të shtrenjtë financimi është e pashpjegueshme,” tha Gjokutaj, ndërsa renditi institucione të tjera financiare që ofrojnë hua me normë interesi më të ulët.