Drejtuesja e Departamentit të Arsimit në PD, Lili Sula në një konferencë për mediat ka deklaruar se Robert Çina, biznesmen dhe njëherazi Dekan i Fakultetit të Shkencave të Rehabilitimit në Universitetin e Sporteve të Tiranës, jo vetëm që ka braktisur punën për vite me radhë, por merr edhe pagesën çdo muaj.
“Pasojat e këtyre skandaleve i vuajnë; studentët; prindërit dhe gjithë shoqëria jonë. Partia Demokratike, duke dënuar me ashpërsi këtë nivel të neveritshëm të shpërdorimit dhe korrupsionit, u kërkon ministrisë së Arsimit dhe institucioneve ligjzbatuese të hetojnë këtë skandal dhe të vënë para përgjegjësisë ligjore këta drejtues”, shprehet ajo.
Deklarata:
Pa u mbushur java nga publikimi i aferës korruptive në UBT, një tjetër skandal shfaqet në media. Robert Çina, biznesmen dhe njëherazi Dekan i Fakultetit të Shkencave të Rehabilitimit në Universitetin e Sporteve të Tiranës, BRAKTIS punën për vite me radhë, dhe Rektori Agron Kasa, në dijeni të plotë, NUK e ndalon, por i paguan pagën e plotë për çdo muaj!
Dekani, autoriteti më i lartë i Fakultetit, që paguhet nga taksapaguesit, por edhe nga tarifat që paguajnë studentët, nuk shkon në punë!
Nuk bën as mësim dhe as detyrat dhe funksionet e Dekanit!
Mendoni: një Dekan i tillë, është edhe anëtar i organeve kolegjiale të Rektoratit dhe Senatit Akademik të këtij universiteti!
Dekani/Biznesmen Robert Çina, merr pagën në institucionin publik dhe kohën e punës e kalon në biznesin e tij privat dhe në pasionet e tij jashtë vendit!
Ja ku ka mbërritur arsimi i lartë në vendin tonë!
● Një Dekan që merr pagën pa shkuar në punë!dhe
● Një Rektor, që në vend që të garantojë zbatimin e ligjit, fsheh dhe mbulon këtë SKANDAL!
Arsyet dhe interesat e lidhjes së dekanit z. Robert Çina dhe rektorit z. Agron Kasa, duhet ti zbulojë kontrolli dhe hetimi që duhet ndërmarrë në këtë universitet!?
Sikurse provoi emisioni investigative Piranjat, korrupsioni, abuzimi dhe shpërdorimi i detyrës është i pranishëm në çdo njësi dhe strukture, dhe ushtrohet në mënyrë të strukturuar nga drejtuesit më të lartë të universitetit.
Më flagrant është fakti se, shpërdorimi dhe babëzia e Dekanit Robert Çina dhe aferat e tjera korruptive të Rektorit Agron Kasa i janë njoftuar Kryeministrit dhe ministres së Arsimit dhe deri më sot NUK kanë ndërmarrë asnjë masë.
Rektori Agron Kasa dhe klani i tij, janë kapur edhe herë të tjera në afera korruptive me pasojë abuzimin e financave publike, sikurse konfirmon Raporti i fundit i Kontrollit të Lartë të Shtetit, të cilin ky Rektor e fsheh!
Këta janë drejtuesit e universiteteve dhe fakulteteve tona, që dolën nga zgjedhjet pa konkurrime që diktoi Rilindja. Në vend që të drejtojnë universitetin, të arsimojnë të rinjtë tanë, strukturohen në grupe dhe ortaki korruptive që abuzojnë me financat e publikut dhe shpërdorojnë detyrat në kurriz të studentëve.
Pasojat e këtyre skandaleve i vuajnë; studentët; prindërit dhe gjithë shoqëria jonë.
Partia Demokratike, duke dënuar me ashpërsi këtë nivel të neveritshëm të shpërdorimit dhe korrupsionit, u kërkon ministrisë së Arsimit dhe institucioneve ligjzbatuese të hetojnë këtë skandal dhe të vënë para përgjegjësisë ligjore këta drejtues.
Të dashur studentë dhe pedagogë,
Ju që shpërdoroheni dhe vuani pasojat e këtij korrupsioni të drejtuesve të universiteteve, ju inkurajojmë të denonconi dhe të refuzoni këtë rrënim që po u bëhet universiteteve!
Partia Demokratike ju fton që më 11 Maji, të gjithë së bashku, të bashkohemi me votë dhe të shporrim këtë bandë hajnash dhe ta kthejmë universitetin në duart tuaja.
Për një Universitet dhe Shqipëri madhështore!
