Erion Murataj PSD

Premtimi për pasaportën e BE-së është një shenjë e dobësisë së PS-së për të ofruar ndonjë alternativë të vërtetë dhe të qëndrueshme për të ardhmen e vendit. Ky është një premtim i vjetër, i dalë mode dhe që nuk ka më asnjë vlerë për qytetarët që kanë parë dhe përjetuar pafund skandale dhe dështime nga kjo qeveri që i bën ata që mendojnë çdo ditë largimin nga vendi.

E gjithë fushata elektorale e Partisë Socialiste këtë 11 Maj mbështetet mbi premtimin që Edi Rama e ka shpërndarë si një kartë fituese: “Votoni PS dhe do t’ju japim pasaportën e Bashkimit Europian”.

Një premtim ky që tingëllon shumë tërheqës për shumë qytetarë, por që pas 12 vitesh në pushtet, duket më shumë si një ‘kartë e djegur’ dhe një përpjekje e dëshpëruar për të rigjallëruar besimin te një qeveri që ka dhënë shenja të theksuara të humbjes së besueshmërisë.

Sipas Ramës dhe strategëve të fushatës, kjo kartë mund të jetë e suksesshme në krijimin e një imazhi të fortë për veten dhe partinë e tij, por ky premtim është i lidhur ngushtë me një realitet që është larg të qenit ashtu siç e paraqet ai në rrjetet sociale.

Për shumë shqiptarë, pasaporta e BE-së është simboli i mundësive më të mëdha, një mundësi për të shkuar dhe jetuar në vende ku standardet janë më të larta dhe mundësitë janë më të mëdha. Mirëpo, ky premtim është gjithnjë e më pak real, kur e shohim në kontekstin e ndryshimeve të mëdha gjeopolitike që po ndodhin brenda Bashkimit Europian.

Vetë BE po kalon një periudhë të pasigurtë, dhe paqartësitë që e rrethojnë të ardhmen e saj, si pasojë e Brexit, krizave të brendshme dhe sfidave të tjera, e bëjnë këtë premtim më të dobët se kurrë.

Pra a është realiste të besojmë se Shqipëria do të bëhet anëtare e BE-së deri në vitin 2030, kur vetë Bashkimi Europian po kalon periudha të turbullta që nuk lejojnë përparimin e zgjerimit? Së fundmi, ardhja e Donald Trump në pushtet në SHBA ka shtuar edhe më shumë paqartësi për të ardhmen e BE-së. Politikat e tij të paqëndrueshme dhe shpesh kundër Bashkimit Europian kanë tronditur një institucion që deri dje ishte mbështetur nga një partneri i fortë si SHBA. Kjo ka bërë që shumë analistë të dyshojnë nëse BE do të ketë mundësinë të ofrojë mundësitë që ka premtuar dikur për Shqipërinë dhe shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Ambiciet e liderëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, por edhe të presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, se në fund të vitit 2024 do të kryheshin pagesat e para nga Paketa e Rritjes dhe Reformave e BE-së, nuk u realizuan. Për më tepër, dhënia e 2 miliardë euro grante nga BE-ja nuk ndodhi as në fillim të vitit 2025 dhe nuk është e qartë se kur do të mund të bëhet realitet.

Përveç kësaj, premtimi pasaportës së BE bëhet një mashtrim edhe më i madh kur e shohim nivelin e korrupsionit dhe skandaleve që kanë përfshirë qeverinë e Ramës gjatë këtyre 12 viteve. Në vend që të ofrojë mundësi reale për një të ardhme më të mirë, kjo qeveri ka dhënë shembuj të shumtë të keqadministrimit të fondeve, shpërdorimit të pushtetit dhe favorizimit të grupeve të caktuara. Në vend që të ketë një vizion të qartë për një Shqipëri të zhvilluar dhe të qëndrueshme, PS ofron vetëm premtime boshe që për fatin e keq kanë humbur çdo besueshmëri. Qytetarët janë të lodhur nga premtimet që kurrë nuk janë mbajtur dhe po kërkojnë më shumë se sa një kartë pasaporte të Bashkimit Europian si një shpëtim nga problemet e përditshme që kanë.

Premtimi për pasaportën e BE-së është një shenjë e dobësisë së PS-së për të ofruar ndonjë alternativë të vërtetë dhe të qëndrueshme për të ardhmen e vendit. Ky është një premtim i vjetër, i dalë mode dhe që nuk ka më asnjë vlerë për qytetarët që kanë parë dhe përjetuar pafund skandale dhe dështime nga kjo qeveri që i bën ata që mendojnë çdo ditë largimin nga vendi.

Në këtë këndvështrim, Rama nuk ka asnjë një ofertë të re dhe të besueshme për popullin shqiptar, dhe tani po i ofron atij një ëndërr të varfër, të paqartë dhe të pasigurt. Për qytetarët që kërkojnë një qeverisje dinjitoze dhe diçka ndryshe, kjo ofertë është një mashtrim që mund të shkatërrojë besimin tek institucionet dhe të thellojë më tej krizën e besimit që tashmë mbizotëron në vend.

Shqipëria ka nevojë për më shumë se sa premtime të pavlera për të ardhmen e saj. Ka nevojë për një udhëheqje që të ofrojë një vizion të qëndrueshëm, të ndershëm dhe real për zhvillimin e vendit. Dhe kjo nuk mund të arrihet me premtime të kota për pasaporta, por me politika të qarta, transparente dhe një qeverisje që e vendos popullin përpara interesave të ngushta të pushtetit. Prej 12 vitesh, Edi Rama dhe PS janë konsumuar nga skandalet dhe abuzimet e pushtetit, ku pothuajse çdo deputet është bërë bejler dhe tani po ofrojnë vetëm premtime boshe që nuk i beson askush./ Pamfleti