
Të tjera detaje ka dhënë policia e Lushnjës lidhur me ngjarjen e ndodhur gjatë natës në fshatin Plug të Lushnjës, ku pronari i një stani është qëlluar me armë në stanin e tij.
Sipas informacionit zyrtar, një person kishte shkuar për të vjedhur bagëti në pronësi të shtetasit Flamur Mane, mirëpo është pikasur nga ky i fundit.
Mes pronarit dhe hajdutit ka patur përleshje fizike në stan, e si pasojë, autori ka qëlluar me armë ndaj 65-vjeçarit. Ky i fundit ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa është identifikuar dhe arrestuar autori i dyshuar, shtetasi Dedë Dedaj.
Njoftimi i policisë:
Qëlloi me armë gjahu, pronarin e ambientit ku shkoi për të vjedhur gjatë natës, identifikohet dhe kapet 65-vjeçari.
Menjëherë pas kallëzimit të shtetasit F. M., 66 vjeç, se gjatë natës, sapo një shtetas kishte hyrë për të vjedhur në kasollen në pronësi të tij, ai e kishte konstatuar dhe gjatë konfliktit me të, autori i tentativës për vjedhje e kishte qëlluar me armë gjahu, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë kanë organizuar punën për kapjen e autorit.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe policore, u identifikua dhe u kap autori i dyshuar i rastit, shtetasi D. D., 65 vjeç.
I dëmtuari, shtetasi F. M., ka marrë asistencë mjekësore dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.
