Erion Murataj PSD

Një person është vrarë me armë zjarri mbrëmjen e kësaj të enjteje në fshatin Pllanë të Lezhës.

Raportohet se i vrari është Gjovalin Prendi, babai i Roan Brahimit i vrarë më 9 maj 2024 në Virona të Athinës. Policia ndodhet në vendngjarje.

Roan Brahimi alias Sidorel Prendi, i njohur edhe me pseudonimin “Sidi” kishte mbërritur nga Dubai në Athinë dhe u qëllua me armë brenda automjetit të tij. Policia greke thotë se ka dyshime që vrasja e tij mund të ketë lidhje me këtë sagë hakmarrjeje të nisur nga Shqipëria.

Brahimi njihej edhe si armiku i Ervis Martinajt, ‘mbretit të kumarit’ i zhdukur pa gjurmë që prej 8 Gushtit 2022 në aksin Durrës-Shijak dhe fati i të cilit nuk dihet ende.

Po ashtu, Roan Brahimi dyshohet të ketë lidhje edhe me vrasjen Gentjan Bejtjes në 15 mars të këtij viti në Larushk të Krujës.

Policia:

Lezhë/Informacion paraprak

Në fshatin Pllanë, në rrethana ende të paqarta është vrarë me armë zjarri shtetasi Gj. P. 64 vjeç, banues në Pllanë, Lezhë.

Forca të shumta të Policisë kanë shkuar në drejtim të vendit të ngjarjes të mbështetura nga Forca Kombëtare e Sigurisë, Njësia Shkodër.

Ndërkohë është ngritur një grup i posaçëm hetimor i cili ka shkuar në vendin e ngjarjes, dhe nën drejtimin e Prokurorit, po kryejnë veprimet hetimore me qëllim zbardhjen e ngjarjes.