
Policia ka vendosur në pranga një 23-vjeçar francez, i cili mashtronte qytetarët në Shqipëri duke u kamufluar si filiali i një banke të nivelit të dytë dhe u dërgonte link të rremë për të plotësuar të dhënat e tyre bankare.
Adem Said u kap në flagrancë në një bankomat në Tiranë duke tërhequr para nga një llogari që e kishte marrë nëpërmjet linkut.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet operacioni policor kundër krimit kibernetik, i koduar “MISLEADING MESSAGES”.
Iu dërgonte qytetarëve të ndryshëm në Shqipëri, link të rremë, për të plotësuar të dhënat bankare, duke u kamufluar si filiali i një banke të nivelit të dytë, me qëllim që t’iu merrte para nga llogaria, falë reagimit në kohë dhe me profesionalizëm, identifikohet, kapet dhe vihet në pranga autori i dyshuar. Kapet në flagrancë në një bankomat në Tiranë, duke tërhequr para nga një llogari që e kishte marrë nëpërmjet linkut, Policia vë në pranga 23-vjeçarin nga Franca.
23-vjeçari, pasi kishte hapur linkun në Francë dhe kishte mashtruar qindra qytetarë, kishte ardhur në Tiranë, me qëllim tërheqjen e parave nga llogaritë bankare që kishte përfituar nëpërmjet mashtrimit. Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike në DPPSH, në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Krimeve Kibernetike në DVP Tiranë dhe Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, pas denoncimeve të marra nga qytetarë të cilët kishin rënë pre e një mashtrimi nëpërmjet linqeve bankare të rreme, finalizoi me sukses operacionin policor të koduar “MISLEADING MESSAGES”.
Në kuadër të këtij operacioni, pas një pune intensive hetimore dhe operative, u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit A. S., 23 vjeç, lindur dhe banues në Francë. Arrestimi i këtij shtetasi u krye pasi përmes mashtrimit me dërgimin e mesazheve të rreme në celularë, kërkonte plotësimin e formularëve me të dhëna bankare personale, të cilat më pas i përdorte për të tërhequr para nëpërmjet bankomateve (ATM) dhe aplikacioneve bankare të instaluara në celulare.
Në këtë skemë mashtrimi kanë rënë viktimë qindra shtetas shqiptarë.
