Nga protesta para Kryeministrisë, thirrje për “rrethimin” e Parlamentit të hënën

Ndërsa protesta antiqeveritare hyri sot në ditën e saj të 56-të, organizatorët kanë shpallur aksionin e radhës, duke u bërë thirrje qytetarëve të mblidhen të hënën, më 27 korrik, përpara Parlamentit.

Thirrja u bë gjatë protestës së sotme, ku u kërkua që qytetarët të jenë para godinës së Kuvendit që në orën 08:30, për të mos lejuar hyrjen e deputetëve në seancën plenare, e cila është planifikuar të nisë në orën 10:00 dhe do të jetë e fundit për këtë sesion parlamentar.

Protestuesit deklarojnë se synojnë të bllokojnë hyrjet e Parlamentit dhe kanë ftuar qytetarët të marrin pjesë masivisht në tubim. Sipas tyre, deputetët nuk duhet të zhvillojnë normalisht seancën e fundit përpara se të nisin pushimet verore.

Thirrja vjen pas protestës së zhvilluar të enjten para Kuvendit, e cila u shoqërua me tensione të forta. Protestuesit u përplasën me efektivët e Policisë së Shtetit, ndërsa forcat e rendit përdorën sprej djegës dhe makina uji për të shpërndarë turmën. Gjatë përplasjeve u arrestuan edhe disa protestues.

Pavarësisht asaj që ndodhi të enjten, organizatorët kanë paralajmëruar se protesta do të vazhdojë edhe të hënën. Ata u kanë bërë thirrje qytetarëve të jenë para Parlamentit përpara nisjes së seancës, ndërsa kanë deklaruar se synojnë t’i përcjellin deputetët drejt pushimeve verore me vezë.

GEAM Sh.p.k