Publicisti, politikani i njohur e historianit Artan Lame është ndarë nga jeta në moshën 58-vjeçare!

Lame ndërroi jetë ditën e sotme në një spital në Mynih të Gjermanisë pas një ndërhyrje të vështirë në zemër. E papritur vdekja e tij, kolegë e miq të afërm kanë shprehur ngushëllimet për familjen Lame, bashkëshorten dhe fëmijët e tij.

Me një profil që shtrihej mes politikës, publicistikës, historisë dhe mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, Lame për vite me radhë u kthye në një figurë të respektuar dhe një ndër njerëzit që asnjëherë nuk heshtën atëhere kur duhej folur me ndershmëri dhe pasion për vendin.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Shuhet Artan Lame!

Reagimi i kryeministrit Edi Rama:

I pabesueshëm, po fatkeqësisht i vërtetë lajmi i befasishëm i ndarjes nga jeta të Artan Lames. Jam pa fjalë. Ngushëllime Mirelës, djalit të tyre dhe familjes e shokëve të përbashkët.

Reagimi i ministrit Taulant Balla:

Lamtumirë miku dhe shoku im i mirë Artan Lame.

Do na mungosh shumë

Reagimi i gazetarit Blendi Fevziu:

Artan Lame, nje qytetar par exellence, nje historian i apasionuar, nje zyrtar model, nje njeri plot energji dhe deshire per jeten iku sot nga kjo bote ne moshen 58 vjecare. Iku kaq i ri, tamam atehere kur ishte duke notuar ne pasionin e tij kryesor, ngritjen e nje muzeu per medaljet dhe flamujt, pjese e koleksionit te tij te rralle e mahnites. Kam kaq shume per te thene per te, por ne kete moment te pare shokues, mund te them vetem kaq. U prehsh ne paqe Artan. Familja humbi njeriu e dashur, ne mikun, por Shqiperia humbi nje nga dashnoret e fundit te historise dhe shkelqimit te saj.

Reagimi i deputetit Vullnet Sinaj:

Gjatë detyrës si drejtor i ALUIZNI-t dhe më tej i Kadastrës, Artan Lame trajtoi problemin delikat ose më mirë të them, një nga plagët e vjetra të shoqërisë shqiptare, çështjen e pronës.

Me qetësinë dhe dashamirësinë e tij u investua për të zgjidhur mjaft probleme të trashëguara, pa pretenduar se mund t’u jepte rrugë të gjithave.

Unë mbaj mend nga ai, dëshirën për t’ia dalë, vullnetin për reforma dhe fjalën e mirë në çdo komunikim.

Ngushëllime familjes, të afërmve dhe miqve për humbjen e parakohshme të të dashurit të tyre.

Prehu në paqe Artan Lame!