Detaje të tjera kanë dalë nga dosja hetimore e Antimafies Italiane, ku i penduari i drejtësisë, Domenico Milella, ka zbuluar detaje për aktivitetin e trafikut të drogës të kryer nga organizata kriminale ku ai bënte pjesë, me bashkëpunimin e trafikantëve shqiptarë të drogës.
Sipas dosjes hetimore, Milella ka dëshmuar se klani kriminal i tij furnizohej me kokainë përmes dy kanalesh, nga Holanda dhe nga Shqipëria, të cilat përdoreshin për të zhvilluar trafikun e narkotikëve në territorin e Barit. I penduari i drejtësisë ka zbuluar fillimisht kontakte që ka pasur më dy shqiptarë. Njëri i njohur për të me emrin “Aidi”, ishte i vendosur përkohësisht në Rotterdam, ndërsa tjetri, i njohur si “Enrico”, i cili konsiderohej si njeri i padyshimtë për autoritetet, banonte në qytetin e Barit.
Lidhur me “Enrico”, Milella sqaroi se ai ishte i padënuar më parë dhe në atë kohë ishte i punësuar në një firmë hidraulike në Bari, me një të quajtur “Massimo”, i përfshirë gjithashtu në trafikun e drogës. Siç ka treguar ai, “Enrico” përdorte një makinë tip Renault Clio me ngjyrë të zezë dhe ishte në moshën rreth 34-36 vjeç.
Lidhur me “Aidi”-n, Milella tregoi se ai ishte më i ri se Enrico, me trup të fortë dhe i vendosur në mënyrë të përhershme në Holandë, çka bënte që të takoheshin rrallë në Bari.
“Njëri është në Bari, punon është njeri i padyshimtë. Është një djalë i mirë. Sipas meje është i padënuar. Enrico quhej, tani nuk e di nëse është emri i vërtetë. E di ku punon, punon si hidraulik në Madonnella. Po ta shihja, do ta njihja. Punon në një firmë hidraulike. Ai që është në Rotterdam është ‘Aidi’, ai që ishte këtu, Enrico, punonte në atë firm që kishte dhe një tjetër, quhej Massimo, që është ortak me ta, nga Bari. Janë lloj njerëzish që s’i dyshon njeri, ky Massimo dhe Enrico punojnë në një firmë hidraulike, janë me siguri të padënuar”, ka dëshmuar Domenico Milella.
Milella ka ofruar shumë të dhëna për mënyrat me të cilat bëhej furnizimi me kokainë nga dy shqiptarët, duke shpjeguar se udhëtimet bëheshin me rrugë tokësore. Ai tregoi se porositë për drogë bëheshin përmes celularëve të dedikuar, të “kriptuar” të markës “BlackBerry”, të cilët i ishin dhënë nga vetë shqiptarët.
Përmes këtyre pajisjeve, Domenico Milella kishte mundësinë të shihte llojin e drogës dhe të zgjidhte në bazë të cilësisë dhe çmimit, që varionte rreth 26.000 deri në 27.000 euro për kilogram.
Ai sqaroi pas bërjes së porosisë, substanca narkotike transportohej nga Holanda në Bari, përmes korrierëve që udhëtonin me makina të posaçme, ku çdo herë transportoheshin deri në 20 kg maksimumi.
Vetëm paketime të vogla, por 3-4 kilogramë shkonin. 3-4 kilogramë këtu, 3-4 atje… sepse kokaina për ta është shumë e kushtueshme… heroina… ata pastaj e përzienin në Bari, prandaj, nga 3 kilogramë nxirrnin 12-13 kilogramë, kështu që nuk kishin nevojë të merrnin shumë, quhej “Banana”, ajo heroina shumë e fortë.
Dhe kur merrje atë cilësi, nga një kilogram mund të nxirrje 4 ose 5 kilogramë, kështu që nëse vendosnin 3 kilogramë të asaj të mirë poshtë karrocës, ata tashmë kishin një vlerë prej 15 kilogramësh, aq sa është. Nga 3 kilogramë ata i zmadhojnë në 5 dhe bëhen 15 kilogramë. Puna e tyre ishte heroina, kokainën në tokë e kishin rrallë, nuk e shisnin pa pasur porosi. E jepnin edhe në Brindisi, disa njerëzve nga Brindisi. E di që shkonin edhe në Lecce, kishin ndonjë klient nga Lecce për heroinë, dhe në Bari”, dëshmon ai./panorama