Një emigranti maroken i ka dhënë fund jetës në mënyrë tragjike duke varur veten në burgun e Torinos, teksa sapo ishte kthyer nga kampi i Gjadrit në Shqipëri, ku kishte qëndruar për rreth 1 muaj.

Mediat italiane raportojnë se viktima është 42-vjeçari Hamid Badoui, i cili i dha fund jetës duke përdorur lidhëset e këpucëve. Pas qëndrimit në Shqipëri ai ishte lënë i lirë vetëm pak ditë, por ishte vënë menjëherë në pranga. Në takimin me avokatin ai kishte shprehur shqetësime të forta për kushtet e qëndrimit në Gjadër duke iu frikësuar një tjetër dërgimi aty.

“Më mirë në një burg sesa në atë CPR”, ishin fjalët e 42-vjeçarit sipas avokatit të tij.

Badoui kishte jetuar për 13 vite në Piemonte, por për shkak të varësisë nga droga kishte kryer vjedhje të vogla që pasuan me një sërë denimesh. Kjo bëri që t’i refuzohej azili dhe për këtë përfundoi në Gjadër me qëllim kthimin në vendin e tij.

Për ngjarjen kanë reaguar përfaqësues të shumtë të opozitës italiane që kanë kritikuar qeverinë për mënyrën si po trajton emigrantët.