Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve vendosi sot që të hapen dhe të këqyren 4 kuti votimi të qarkut të Vlorës, nga një për secilën bashki, Vlorë, Selenicë, Sarandë dhe Finiq.

Të 4 kutitë e votimi u përzgjodhën si kampion nga vetë përfaqësuesit e PD-së. Opozita pretendon se në të gjithë vendin mungojnë 130 mijë fletë votimi të papërdorura. Kutitë hapen vetëm për të verifikuar se sa fletë votimi janë të papërdorura, kur në sistem janë deklaruar 0 fletë të tilla nga komisionerët.

KQZ sqaroi një ditë më parë se gjithçka ishte burim i pasaktësive në procesverbalet e Qendrave të Votimit, por sipas PD, diferenca mes fletëve të prodhuara dhe atyre të raportuara si të votuara, të papërdorura apo të dëmtuara nuk përputhet.